Gratë shqiptare, boshnjake dhe gorane nga Prevalla dhe fshatrat përreth si Mushnikova, Gornosella, Reçani, Grnqare dhe Lubinje patën mundësinë që të trajnohen mbi fuqizimin ekonomik dhe ngritjen e kapaciteteve.
Organizatat anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Rikotta dhe Qendra e Gruas “ATO”, organizuan 12 trajnime për avokim gjatë 11 muajve të realizimit të nismës “Fuqizimi ekonomik dhe ngritja e kapaciteteve të grave në Prevallë dhe fshatrat përreth”.
Falë këtyre takimeve 150 gra u informuan më në detaje rreth mundësive të përfshirjes në punë, përderisa 90 gra u trajnuan rreth temave të ndryshme si: Çka është avokimi? si dhe, mënyrat e avokimit tek institucionet përkatëse. Rreth 10 prej grave pjesëmarrëse të trajnimeve u punësuan përmes Zyrës së Punësimit.
Duke respektuar masat mbrojtëse kundër pandemisë COVID-19, më 22 gusht, Rikotta dhe “ATO” mbajtën takimin me 30 gra boshnjake dhe gorane nga Prevalla dhe fshatrat përreth.
Udhëheqësja e takimit, Fikrije Ferizi u shpreh se nisma të tilla janë shumë të qëlluara për këtë rajon.
“Përderisa një numër i madh i popullsisë vuan nga mungesa e mundësive për punësim dhe zhvillim, gratë- sidomos ato që jetojnë në zona rurale, tani edhe me ndikimin e pandemisë COVID-19, janë më së shumti të ndikuara nga këta faktorë”, tha ajo.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësues nga Zyra për Punësim në Komunën e Prizrenit dhe përfaqësuesi i Drejtorisë për Ekonomi, Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, të cilët njoftuan për mundësitë e përfshirjes së këtyre grave dhe vajzave në projektet e tyre.
“Gratë e këtij rajoni përveç se jetojnë në kushte të vështira, ato po ashtu përjetojnë izolim dhe margjinalizim nga familjet e tyre dhe shoqëria në përgjithësi”, shtoi Drejtorja Ekzekutive e Organizatës Rikotta, po ashtu Koordinatore e Projektit, Pranvera Hajzeri – Bullaku.
Kjo nismë dhe këto takime u mbështetën nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) dhe u financuan nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).