RrGGK dënon aktet e dhunës në Pejë dhe Prizren, si dhe kërkon që të dyshuarit për kryerjen e veprave të vihen para drejtësisë

 Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) nga një artikull i ditës së sotme në gazetën Zëri dhe në portalin Fax.al u njoftua për dy raste të dhunës në familje në dy komuna të ndryshme të Kosovës.

 Rasti i parë kishte ndodhur mes një çifti të martuar nga Komuna e Prizrenit, ku pas intervenimit të policisë, i dyshuari me vendim të prokurorit është dënuar me mbajtje.
 
Ndërsa, rasti i dytë kishte ndodhur në fshatin Pavlan të Komunës së Pejës, ku poashtu u sulmua fizikisht një grua nga bashkëshorti dhe vjehrri i saj, me ç’rast me vendim të prokurorit janë liruar të dy me procedurë të rregullt.
 
RrGGK dënon rëndë aktin e sulmit fizik ndaj të dyja grave në fjalë. Në anën tjetër, RrGGK shpreson se prokuroria në Komunën e Pejës do ta bëjë siç duhet punën në mbledhjen e fakteve dhe të ngritë aktakuzë ndaj të dyshuarve të kryerjes së kësaj vepre, dhe se brenda afatit të caktuar ligjorë të dyshuarit do të përgjigjen për veprën e tyre.
  
RrGGK shpreson që këto dy gra kanë pranuar trajtimin e duhur nga insitucionet përgjegjëse, dhe ato tashmë janë në një vend të sigurtë, largë personave që ushtruan dhunë ndaj tyre.
 
RrGGK dënon rëndë çdo akt që cenon mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, e veçanërisht rastet e dhunës në familje, ku sipas raportit të fundit të RrGGK-së: Mjaft më me arsyetime – Një analizë e qëndrimeve, incidencës dhe përgjigjes institucionale ndaj dhunës në familje në Kosovë, është vërejtur se dhuna në familje është ende prezente në shoqërinë kosovare, dhe gratë dhe vajzat janë kryesisht viktima të kësaj dhune.