RrGGK Përkrahë Iniciativat e 7 Anëtareve

RrGGK gjatë muajti Korrik aprovoi shtatë grante të Fondit të Grave të Kosovës (FGK) për organizatat anëtare. Në këtë raund aplikuan 29 organizata dhe Komisioni Përzgjedhës për Grante (KPG) i FGK-së, i përzgjedhur nga anëtaret e RrGGK përzgjodhi si vijon:

1) Venera do t’i ndihmojë gratë në Pejë që të përgatisin dokumentet ligjore dhe t’iu ofrojë këshillime për kompletimin e procedurave për të hapur bizneset e tyre;

2) Bliri do të ngrisë vetëdijësimin për shëndetin reproduktiv në mesin e vajzave në Drenas;

3) Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës do të punojë në integrimin e fëmijëve të verbër në shkollat publike në Prishtinë;

4) Rikotta do të përurojë “Tregun e Grave” në sheshin Nëna Terezë në Prishtinë, ku do të shiten produkte të grave dhe do të organizohen aktivitete në rrugë për të ngritur vetëdijësimin për të drejtat e grave;

5) Foleja do të edukojë gratë dhe vajzat e komuniteteve Romë, Ashkali dhe Egjiptian në Prizren, Landovicë, Piranë, Serbicë Jugore dhe Mamushë për shëndetin dhe të drejtat e tyre;

6) Rona do të fuqizojë ekonomikisht gratë, duke përkrahur pjesëmarrjen e tyre në turizëm përmes punimeve të dorës dhe duke promovuar trashëgiminë kulturore në Gorë dhe Opojë; dhe

7) Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave do të identifikojë rastet e dhunës seksuale të kryera gjatë luftës në 17 fshatra të Komunës së Drenasit.

Kvinna till Kvinna ofroi përkrahjen financiare për të bërë të mundshme ndarjen e këtyre granteve. Raundi i radhës i granteve do të hapet më 15 Gusht dhe do të mbyllet më 15 Shtator 2013. Mimoza Paçuku, koordinatore e FGK, është e gatshme për të ofruar mentorim për anëtaret e RrGGK-së lidhur me projekt propozimet e tyre.