RrGK avokon fuqishëm për të drejtat e grave përgjatë Javës së Avokimit të BE-së

Nga data 11-19 nëntor, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka marrë pjesë në Javën e Avokimit të Bashkimit Evropian (BE), kjo një praktikë e përvitshme e organizuar me mbështetjen e Kvinna till Kvinna.

Këto ditë ishin të mbushura me diskutime të frytshme dhe takime aktive, përmes të cilave BE-ja ishte drejtpërdrejt e angazhuar dhe e përkushtuar për avancimin e agjendës së barazisë gjinore.

Gjatë këtyre takimeve, organizatat anëtare të RrGK-së dhe organizatat partnere nga rajoni patën mundësinë të avokojnë bashkërisht dhe individualisht lidhur me barazinë gjinore dhe shqetësimet për të drejtat e grave.

RrGK së bashku me dy organizata anëtare, përkatësisht Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, dhe Shoqatën e Grave të Mitrovicës për të Drejtat e Njeriut, raportuan së bashku për zhvillimet dhe mangësitë që kanë të bëjnë me:

• Dhunën me bazë gjinore, veçanërisht në kontekstin e COVID-19;

• Diskriminimin me bazë gjinore në punë;

• Mungesën e grave në politikë dhe në procese vendimmarrëse;

• Agjendën e Grave për Paqen dhe Sigurinë dhe mungesën e përfshirjes së Organizatave të Shoqërisë Civile të Grave dhe grave në të gjitha nivelet e dialogut Kosovë-Serbi;

• Qasjen në BE nga perspektiva gjinore, me fokus në Raportin e vitit 2021 të Komisionit Evropian për Kosovën, Planin e Veprimit Gjinor të BE-së III, dhe Planin Zbatues në nivel Vendi.

Ndër takimet më të suksesshme, RrGK konsideron:

• Takimin me Zyrtarët e Drejtorisë së Përgjithshme, Gabriella Francis – Sundim i Ligjit dhe Politika në Kosovë, Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Bisedime për Zgjerim (DG NEAR), si dhe Plamena Halacheva – Shefe e Departamentit të Integrimeve Evropiane, Çështjeve Politike, Mediave dhe Informimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Mal të Zi;

• Takim me deputeten e Parlamentit Evropian Malin Björk;

• Takimin rajonal me Ushtruesen e re të Detyrës së Drejtores së Drejtorisë së Përgjithshme të Ballkanit Perëndimor për Fqinjësi dhe Bisedime për Zgjerim, Michela Matuella;

• Takimin me Charlotte Isaksson, Këshilltare Gjinore, Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS);

• Takimin me përfaqësuesen nga DG NEAR;

• Takim me Djordje Bojovic, Asistente e Eurodeputetes Viola Von Cramon – Taubadel (Raportuesja e të Gjelbërve për Kosovën, Delegacioni në Serbi).

Ndër pikat më të theksuara të këtyre diskutimeve, ishin përmirësimi i perspektivës gjinore në Raportin e Komisionit Evropian (KE) për Kosovën, ku Plamena Halacheva, Shefe e Departamentit për Integrime Evropiane, Çështje Politike, Media dhe Informim në Delegacionin e BE-së në Mal të Zi, lavdëroi angazhimin e vazhdueshëm të RrGK-së dhe anëtarëve të saj në këtë proces, dhe kërkoi nga RrGK-ja të ndajë rekomandime të mëtejshme për rritjen e vazhdueshme të integrimit gjinor në të gjithë sektorët e Raportit të KE-së.

Përfaqësuesja nga DG NEAR, përmendi praktikat më të mira të RrGK-së me Delegacionin e BE-së në Kosovë rreth hartimit të Planit Zbatues në nivel Vendi (PZNV).

“Puna e RrGK-së me PZNV mund të jetë përvoja më e mirë në rajon, si dhe për vendet e tjera të botës. RrGK ka punuar shumë për një kohë kaq të gjatë me Delegacionin e BE-së në Kosovë. Ata e dinë se si funksionon delegacioni, sfidat që ekzistojnë, dhe çfarë mund të bëhet për t’i zgjidhur këto sfida si dhe për t’i adresuar kërkesat që lidhen me barazinë gjinore”.

Përfaqësues të tjerë të BE-së gjithashtu uruan RrGK-në, Qendrën Kosovarë për Studime Gjinore, dhe Shoqatën e Grave të Mitrovicës për të Drejtat e Njeriut për punën e tyre të zellshme. Ata e konsideruan punën Organizatave e Grave të Shoqërisë Civile (OGSHC) thelbësore për rritjen e perspektivës gjinore në të gjithë sektorët dhe fushat në të cilat ata janë të përfshira individualisht.

RrGK është falënderues për Kvinna till Kvinna për mbështetjen e OGSHC-ve në përpjekjet e tyre dhe avokimin për të drejtat e grave në Ballkanin Perëndimor.