Gjatë këtyre dhjetë ditëve të fundit, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), përmes rrjeteve sociale bëri thirrje që të votohen gratë nëpër listat zgjedhore në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen këtë të diele, më 14 shkurt 2021.
Fushata nisi pak pas thirrjes ndaj subjekteve politike që të respektojnë Ligji për Barazi Gjinore (LBGj) në listat e kandidatëve të cilat i dorëzohen Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), duke ofruar mundësi të barabarta për burrat dhe për gratë. Duke pasur parasysh që as partitë e as KQZ-ja nuk zbatuan këtë ligj, atëherë na mbetet neve si qytetarë, që të zgjedhim sa më shumë gra në parlament.
RrGK ka bërë fushatë në terren për këtë çështje edhe në zgjedhjet e viteve të kaluara, si dhe do të vazhdojë të përkrahë, mbrojë dhe promovojë të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, fetare, etnike apo orientimi seksual. Po ashtu, kujtojmë se përkrahja e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje është pjesë e Strategjisë së RrGK-së 2019-2022.
RrGK vlerëson zgjedhjet si një element themelor të një shteti demokratik dhe barazinë gjinore si të drejtë jetike të secilit prej nesh, andaj ne e konsiderojmë më se të nevojshme dhe të rëndësishme që qytetarëve t’u jepen mundësi të barabarta. Mungesa e demokratizimit dhe pjesëmarrja e vogël e grave brenda shumicës së partive privon padrejtësisht gratë nga pjesëmarrja dhe kontributi në vendimmarrje.
Andaj, më 14 shkurt, cilëndo listë që zgjedhni, votoni për më shumë gra në parlament!