RrGK dhe EcoKosWomen nënshkruan kontratë për fuqizimin e rolit të gruas në zgjidhjen e krizave në energji, ushqim e mjedis

Sot nënshkruam një kontratë me organizatën tonë anëtare EcoKosWomen, e cila do të punojë drejt fuqizimit të rolit të grave në zgjidhjen e krizave energjetike, ushqimore dhe mjedisore.

EcoKosWomen përmes nismës “Vendosja e gruas në qendër të zgjidhjeve të ndryshimeve klimatike”, do të përqendrohet në vetëdijesimin lidhur me përdorimin e energjisë ku gruaja do të ndihmohet për të ndjekur një qasje të gjinisë në kursimin e energjisë në shtëpitë e tyre.  

Përmes grantit në vlerë prej 7,998 euro, EcoKosWomen në një periudhë njëvjeçare synon që të përdorë një qasje gjinore për të ndikuar në  krizën energjetike, ushqimore dhe atë mjedisore.

Drejtorja ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova me këtë rast çmoi lart angazhimin e organizatave anëtare për të çuar përpara kauzat e drejta e në veçanti në fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri.

Magbule Hyseni, drejtore e EcoKosWomen ka vlerësuar lart mundësinë që i është dhënë nga RrGK-ja, jo vetëm sot, por edhe në të kaluarën, duke u shprehur se me grantin e fundit do të japin maksimumin që të rrisin sa më shumë vetëdijesimin e grave në fushat në të cilat ato punojnë çdo ditë.

“Ato kanë rol kryesor në prodhimin e ushqimit në ferma, përdorimin dhe gatimin për familjen. Projekti do të ndjek një qasje të gjinisë ku gruaja do të vetëdijesohet në shfrytëzimin e produkteve lokale në kuzhinat e shtëpisë e cila do ndikojë edhe në krizën ushqimore. Për sa i përket krizës mjedisore, gruaja është personi kyç në kujdesin e mjedisit, pasi ato nxisin lidhjen e mëtejshme mes njerëzve dhe mjedisit.”

Tutje, EcoKosWomen planifikon të zhvillojë analizë me temën “Vlerësimi Gjinor i përfituesve të buxhetit”, duke analizuar politikat dhe shpenzimet e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në drejtim të propozimit të rekomandimeve për përmirësimin e zbatimit të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor nga kjo Ministri, në përputhje me kërkesat e Ligjit për Barazi Gjinore në Kosovë.

Kjo nismë është pjesë e aksionit të Rrjetit të Mbikëqyrësve të Buxhetimit Gjinor, i mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida).

EcoKosWomen në dhjetorin e kaluar ka marrë një mirënjohje të veçantë nga Komisioni Kombëtar Konsultativ për të Drejtat e Njeriut në Francë, i cili i dha këtë mirënjohje speciale inkurajimi zonjës Magbule Hyseni për cilësinë dhe rëndësinë e projektit të EcoKosWomen që synon lehtësimin e qasjes në produkte higjenike për gratë dhe vajzat dhe më gjerësisht në favor të promovimit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe barazinë gjinore.

Ne në RrGK jemi krenarë të vazhdojmë bashkëpunimin me EcoKosWomen.