RrGK dhe Lobi në përkrahje të Podrimqaku-Subashit

Rrjeti i Gravë të Kosovës (RrGK) dhe Lobi për Barazi Gjinore në Kosovë (Lobi) më 29 mars përmes një kumtese për media kanë shprehur shqetësim në lidhje me presionin dhe trajtimin e padrejtë që po i bëhet Zahrie Podrimqaku-Subashit, Koordinatore e Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut dhe Zyrtare për Barazi Gjinore (ZBGJ) dhe Mundësi të Barabarta (MB) në Drenas nga Kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci.

Podrimqaku-Subashi është pre e presioneve nga Kryetari i Komunës, i cili duke mos respektuar ligjet ka provuar që ta zëvendësojë atë me gruan e djalit të motrës së tij.

Në këtë letër RrGK dhe Lobi kanë kujtuar punën dhe aktivizimin e Podrimqaku-Subashit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, e me theks të veçantë në mbrojtjen e të drejtave të grave, si dhe kanë kërkuar që të ndërpritet presioni për ta degraduar/larguar nga puna Podrimqaku-Subashin.

Podrimqaku-Subashi gëzon përkrahjen e plotë të RrGK-së dhe Lobit për ta vazhduar ushtrimin e funksionit publik në të mirë të qytetarëve, ashtu siç ka vepruar deri më tani.

Lexoni KËTU kumtesën e plotë.