Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka zhvilluar një fushatë në mediat sociale që synon të informojë qeverinë, publikun dhe bizneset për përfitimet që dalin nga Direktiva e Bashkimit Evropian (BE) për Balancin Punë Jetë. Si rezultat i bashkëpunimit rajonal dhe sinergjisë së krijuar midis partnerëve dhe donatorëve, fushata njëmujore që përmban informacione të shoqëruara me infografika ka arritur shtrirje te të paktën 100,000 gra e burra në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Direktiva synon të luftojë pabarazinë gjinore duke zgjeruar të drejtat e punëtorëve me fëmijë dhe të atyre që kujdesen për anëtarët e tyre të familjes. Kështu baballarët e rinj mund të marrin 10 ditë pushim të plotë të pagesës së atësisë, kujdestarët do të marrin pesë ditë leje për t’u kujdesur për një të afërm, do të ketë pushim prindëror për katër muaj me pagesë si dhe për prindërit e fëmijëve nën tetë vjeç mund të kërkohet orar fleksibël i punës.
Fushata vetëdijësuese për të rritur ndërgjegjësimin mbi Direktivën dhe raportin me saj me politikat e përgjegjeshme gjinore për familjen është zhvilluar fillimisht në Kosovë në kuadër të partneritetit mes RrGK, Odës Ekonomike dhe mbështetur nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA) e financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).
Duke parë rëndësinë e fushatës, RrGK ka bashkëpunuar me partnerët e në vendet e Ballkanit Perëndimor për të shpërndarë dhjetë poste online që theksojnë përfitimet e Direktivës së BE-së në gjuhet përkatëse të rajonit.
Si rezultat i kësaj fushate, në Kosovë shumë gra e kontaktuan RrGK-në pasi kishin parë postime të ndryshme, veçanërisht ato që për të drejtat e pushimit të lehonisë. Ato kërkuan ndihmë për raportimin e rasteve kur u ishin shkelur të drejtat. RrGK ka ndihmuar këto raste duke ofruar këshilla dhe ndihmë juridike falas në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD). Shumë nga këto raste aktualisht janë në procedurë ligjore në institucionet përkatëse, falë mbështetjes sinergjike nga Bashkimi Evropian (BE), Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Zhvillimor (Sida) dhe falë punës së vazhdueshme të IKD-së.
Nisma rajonale për të shtrirë fushatën te një audiencë më e gjerë mori mbështetjen financiare edhe të BE-së dhe Sida-s. Nëpërmjet kësaj sinergjie mes partnerëve dhe donatorëve, fushata ka arritur shtrirje te një audiencë të gjerë me informacione rreth Direktivës dhe rëndësisë që vendet e Ballkanit Perëndimor të harmonizojnë kuadrin e tyre ligjor me Direktivën.
“Ne besojmë fuqimisht se miratimi i Direktivës nga të gjitha vendet do të kontribuojë në rritjen e pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore, në përmirësimin e mirëqenies së individëve dhe familjeve dhe në barazinë gjinore,” thotë Nicole Farnsworth, Drejtore e Programit dhe Udhëheqëse e Hulumtimit, RrGK.
Duke ditur rëndësinë që ka zbatimi i kësaj direktive, RrGK dhe partnerët e vazhdojnë të inkurajojnë qeveritë përkatëse që të harmonizojnë ligjet dhe politikat me Direktivën e BE-së mbi Balancin Punë-Jetë. Ata po ashtu vazhdojnë t’iu bëjnë thirrje të gjithë punëdhënësit që të zbatojnë këtë direktivë në vendin e punës për një barazi gjinore, për të rritur kënaqshmërinë e punëtorëve, përmirësimin e performancës dhe përmirësime tjera lidhur me suksesin dhe rritjen e profitit.