RrGK diskuton për Rregulloren e Anëtarësisë dhe finalizimin e Strategjisë së re katërvjeçare

Me 14 nëntor afër 90 përfaqësuese të organizatave anëtare, partnerë dhe mbështetës të punës së Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), kanë zhvilluar një takim gjatë të cilit u prezantua Rregullorja dhe Kodi i Mirësjelljes së Kuvendit të Anëtarësisë dhe u diskutua Finalizimi i Strategjisë së RrGK për vitet 2023-2026.  

Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive, RrGK, gjatë fjalës së hapjes, foli për publikimin e librit “Fakte dhe Fabula”, i cili siç u shpreh ajo, është një historik i aktivizmit të grave në Kosovë, kur solidariteti ishte forca më e madhe për të shtyrë përpara agjendën e grave.

Sot kur rrjeti i ka 190 organizata, ajo theksoi rëndësinë e rikthimit të rregullores së përditësuar të anëtarësisë, si mekanizëm i rëndësishëm dhe i nevojshëm.

Ajo gjithashtu foli për punën, arritjet dhe avokimet e bëra gjatë gjithë zbatimit të Strategjisë së RrGK-së për vitet 2019-2022.

Ndërsa, Donjeta Morina, eksperte gjinore, ka prezantuar objektivat dhe rezultatet e pritura te strategjisë së re të RrGK-së.

May be an image of 1 person and standing

Në pjesën e dytë të takimit pjesëmarrëset kanë punuar për të finalizuar objektivat dhe rezultatet e pritura të strategjisë së re të RrGK-së, të ndara në grupe bazuar në katër programet e strategjisë:

  • Përmirësimi i barazisë gjinore përmes sundimit të ligjit;
  • Jeta pa dhunë me bazë gjinore;
  • Fuqizimi ekonomik i grave dhe
  • Edukimi që transformon normat gjinore

Strategjia e re e RrGK-së pritet të aprovohet gjatë Kuvendit të Rregullt Vjetor që mbahet në fund të vitit.

Ky takim u mbështet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).