Me 6 qershor në Prishtinë, afër 100 përfaqësuese të organizatave anëtare, partnerë dhe mbështetës të punës së Rrjetitt të Grave të Kosovës (RrGK), u mblodhën për punëtorinë në të cilën u bë planifikimi i strategjisë së re 2023-2026 të RrGK-së.
Takimin e hapi Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive, RrGK, e cila solli ndër mend rëndësinë e takimeve të tilla në bashkimin e grave drejt arritjes së barazisë gjinore dhe rritjes së solidaritetit.
“Gjatë ditës të sotme së bashku do të fillojmë të ndërtojmë bazën e punës sonë të përbashkët për katër vitet e ardhshme”, u shpreh Rogova ndër të tjerash.
Tutje, Nicole Farnsworth, Drejtore e Programit dhe Udhëheqëse e Hulumtimit, RrGK dhe Adelina Berisha, Menaxhere e Programit për Adresimin e Dhunës në Bazë Gjinore, RrGK, morën fjalën për të prezantuar programet që RrGK do t’u japë prioritet në strategjinë e re të RrGK-së.
Pjesa e dytë e punëtorisë vazhdoi duke ndarë përvojat dhe mendimet, në pesë grupe punuese, të ndara si vijon;
- Përmirësimi i barazisë gjinore përmes sundimit të ligjit;
- Jeta pa dhunë me bazë gjinore;
- Fuqizimi ekonomik i grave;
- Transformimi i normave gjinore përmes edukimit; dhe
- Mbrojtja e mjedisit.
Pas diskutimit të përbashkët, përfaqësueset e grupeve prezantuan problemet kryesore që RrGK së bashku me organizatat anëtare do të përqendrohet për t’i adresuar në katër vitet e ardhshme.
Në nëtor të vitit që lamë pas, anëtaret e RrGK-së u takuan për tri ditë me radhë për punëtorinë në të cilën u bë planifikimi i strategjisë feministe të RrGK-së. KËTU mund të lexoni më shumë për këtë punëtori.
Kjo punëtori u mbështet nga Agjencia Austriake për Zhvillim ADA.