Në qershor të vitit 2018, Adea Roka filloi punën praktike në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK), si asistente ligjore. Për pesë muaj me rradhë ajo u bë pjesë e stafit të RrGK-së, ku u angazhua kryesisht në çështjet e dhunës me bazë gjinore me fokus në dhunën në familje.
Pjesë e përvojës së saj ishte ofrimi i këshillave ligjore për rastet e dhunës me bazë gjinore, që janë adresuar në RrGK, duke këshilluar për kornizën ligjore si dhe për rolin dhe përgjegjësitë e institucioneve relevante, ku viktimat mund të raportojnë përjetimet e tyre. Kjo është bërë në bashkëpunim me personat përgjegjës brenda RrGK.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes RrGK-së dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Adea pati rastin të fillojë monitorimin e rasteve të dhunës me baza gjinore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, më saktësisht në Departamentin e Krimeve të Rënda. Këtu ajo pati mundësi të njihet me specifikat dhe vështirësitë që hasen në praktikë gjatë trajtimit të dhunës me baza gjinore, nëpërmjet analizmit të arkivave të rasteve të trajtuara në këtë departament gjatë viteve 2014 – 2017.
“Të drejtat e njeriut, ku hyjnë edhe të drejtat e grave, janë pjesë e punës dhe interesit tim. Praktika në RrGK më ka ndihmuar të kuptoj për së afërmi punën e sistemit të drejtësisë në Kosovë, pasi që unë kisha vetëm njohuritë teorike. Këtu kam arritur të dëgjoj rrëfimet e viktimave të dhunës, që më ka mundësuar të kuptoj edhe më shumë lidhur me dhunën me baza gjinore. Përvoja në gjykatë përmes monitorimit të arkivave më ka përplotësuar në profesionin tim, prandaj eksperienca e fituar gjatë kësaj kohe do të më shërbejë shumë në karrieren time profesionale. Edhe fryma e bashëkpunimit që mbizotron në RrGK ka kontribuar që unë të ndihem rehat dhe të ushtroj punën time me lehtësi”, është shprehur Adea pas përfundimit të praktikës.
Adea tani po vazhdon të punojë në temën e magjistraturës, me synim që të vazhdojë të kontribuojë në çështjet e ndërlidhura me barazinë gjinore në Kosovë.