Me 16 dhjetor, në Hotel Sirius në Prishtinë, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) mbajti Kuvendin Vjetor të 16-të të Anëtareve të saj ku morën pjesë anëtaret, miqtë, përkrahësit, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe të institucioneve të Kosovës. RrGK organizon Kuvendin Vjetor të Anëtareve që nga viti 2003, si pjesë e përgjegjësisë së anëtareve të stafit për të raportuar tek Kuvendi i Anëtareve të RrGK çdo vit.
RrGK po e përmbyllë edhe një vit përgjatë të cilit ka punuar në arritjen e vizionit të saj për një Kosovë ku gratë dhe burrat janë të barabartë dhe kanë mundësi të barabarta në arsimim, punësim, pjesëmarrje në politikë, shëndetësi dhe bëjnë një jetë pa dhunë. Vizionin e saj, RrGK e arrin përmes misionit të saj që të përkrahë, të mbrojë dhe të promovojë të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në të gjithë Kosovën, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, fetare, etnike, mosha, niveli i arsimit, orientimi seksual dhe aftësia.
Ariana Qosaj Mustafa, Kryetare e Bordit të RrGK-së, në fjalën e hapjes së Kuvendit foli sukseset dhe sfidat e Rrjetit gjatë vitit 2018, ku ndër të tjera theksoi se “Të jesh pjesë e Rrjetit të Grave të Kosovës në fakt është një mision dhe besoj se ne me punën dhe vullnetin tonë e tregojmë çdo ditë se jemi pjesë e një rrjeti ku do të vazhdojmë të mobilizohemi individualisht por edhe kolektivisht në realizimin e misionit të krijimit të një shoqërie të barabartë”. “Kjo e bën edhe angazhimin tonë një mision të pazëvendsueshëm për t’i ofruar mundësi vajzave dhe grave të shumta që na përfaqësojnë aq denjësisht kudo në botë, t’u ofrohet mundësia ta bëjnë këtë edhe në vendin e tyre”, vazhdoi ajo.
Bashkëpunimin ndër vite dhe punën e suksesshme të RrGK-së e çmoi edhe Gunther Zimmer, Kreu i Zyrës, Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA), duke thënë se “Është nder për Agjencinë Austriake për Zhvillim që të vazhdojë të mbështesë Rrjetin e Grave të Kosovës, njëkohësisht partner i ADA që nga viti 2012. Ne e njohim rolin e rëndësishëm që luajnë organizatat, rrjetet dhe lëvizjet e të drejtave të grave në sjelljen e ndryshimeve të rëndësishme sociale në Kosovë, rajon dhe gjetkë”.
Annette Fath Lihic, Këshilltare Kryesore Politike/Koordinatore Ekzekutive, Zyra e Përfaqësueses së Posaçme të BE-së në Kosovë shprehi kënaqësinë t’i drejtohet Rrjetit në këtë ngjarje duke përcjellur edhe lavdatat nga Ambasadorja Apostolova për “ Punën e mrekullueshme që RrGK po bën”. Tutje, ajo theksoi se “Barazia gjinore është vendimtare për të siguruar sigurinë, për të vendosur stabilitetin politik dhe për të arritur zhvillimin ekonomik. Shembuj të konsiderueshëm tregojnë se vendet në të cilat gratë dhe burrat janë të barabartë dhe marrin pjesë në barazinë e vendimmarrjes, janë vende që janë më të zhvilluara, më të sigurta dhe më të qëndrueshme”.
Mes emocionesh të shumta dhe me poezi shkruar dhe recituar nga Safete Rogova, kushtuar punës dhe veprës së aktvistes dhe humanistes Sevdije Ahmeti, RrGK ndau për herë të parë çmimin vjetor Sevdije Ahmeti. Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK-së, duke prezantuar idenë për këtë çmim që ndërlidhet edhe me historikun e punës së grave aktiviste gjatë ‘90-tave, theksoi se në këtë mënyrë shpresojmë ta mbajmë gjallë emrin e një aktivisteje si Sevdija, dhe njëkohësisht simbolikisht të njohim kontributin e aktivisteve tjera. Me këtë çmim sivjet u nderua Naxhije Buçinca, për punën dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm për arsimimin e vajzave dhe grave. Se si u ndje e privilegjuar, me emocione zonja Buçinca shtoi se” Sevdije Ahmetin nuk kam se si të mos ta krahasoj me Zhan d’Ark. Ajo luftoi për drejtat e gjitha grave në botë. Ajo i hapi rrugët në të cilat ecëm edhe ne me punën tonë. Ky çmim është një porosi dhe obligim që ne ta vazhdojmë punën”.
Në vazhdim Igballe Rogova, Drejtorja Ekzekutive dhe anëtaret e stafit të RrGK prezantuan punën dhe angazhimin e RrGK-së drejt zbatimit të Strategjisë 2015-2018, duke u fokusuar në aktivitetet gjatë vitit 2018, në 5 fusha: 1. Ngritja e kapaciteteve të RrGK-së; 2. Gratë në Politikë dhe Vendimmarrje; 3. Shëndeti i Grave dhe Vajzave; 4. Programi kundër Dhunës me Bazë Gjinore; dhe 5. Fuqizimi Ekonomik i Grave.
Duke falenderuar anëtaret, bordin edhe përkrahësit për mbështetje dhe besimin e vazhdueshëm për RrGK, zonja Rogova theksoi se “Këtë Kuvend po e shfrytëzojmë që të festojmë dhe reflektojmë për angazhimin dhe kontributin e përbashkët drejt avancimit të të drejtave të grave dhe barazisë gjinore në Kosovë dhe jashtë saj. Faleminderit shumë që besoni në Rrjet”. Ndërkaq në vazhdim ajo prezantoi edhe Strategjinë e re 2019 – 2022 RrGK-së ka vendosur që fushat programatike të Strategjisë së RrGK për vitet 2019-2022 me 6 fushat: I) Fuqizimi i lëvizjes feministe në Kosovë; II) Gratë në politikë dhe vendimmarrje; III) Të drejtat e grave në kujdesin shëndetësor; IV) Jeta pa dhunë m e bazë gjinore; V) Fuqizimi ekonomik i grave; dhe VI) Edukim cilësor i barabartë, për të cilën është punuar bashkë me anëtaret dhe aktorët kyç përgjatë vitit 2018.
Pasi anëtaret miratuan raportin vjetor për vitin 2018 dhe Strategjinë e re 2019 – 2022, pas pushimit të drekës ato rizgjodhën Besnik Lekën dhe Jeta Krasniqin si anëtarë të rinjë të Bordit. Gjatë plotësimit të pyetësorëve vlerësues, Adelina Tërshani, njëherit edhe anëtare e stafit, recitoi poezinë ‘qortuese’ “Ku m’kish ra hise”.
Kuvendi i 16-të i Anëtareve mbështetet nga Fondacioni Kvinna till Kvinna dhe Agjencioni Austriak për Zhillim (ADA).