Nëntë përfaqësues nga shtatë organizata të shoqërisë civile patën rastin që më 14 shkurt të njoftohen dhe të diskutojnë mbi konceptet gjinore dhe metodologjinë praktike të integrimit të Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor (BPGj), në punëtorinë e organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK).
Gjatë pjesës së parë të kësaj punëtorie u diskutuan konceptet gjinore, keqkuptimet më të shpeshta mbi atë se çka është BPGj-a, si dhe fazat e praktikimit të BPGj-së.
Nerina Guri, Hulumtuese dhe Koordinatore e Projektit në RrGK, foli për kornizën ligjore në fuqi, sipas të cilës BPGj-ja është obligim për të gjitha organizatat buxhetore në Kosovë.
“Sipas Ligjit për Barazi Gjinore (LBGj), të gjitha institucionet e Kosovës janë të obliguara ta bëjnë përfshirjen e BPGj-së në të gjitha fushat, si instrument i nevojshëm për garanci që parimi i barazisë gjinore të respektohet në mbledhjen dhe shpërndarjen e resurseve publike”, tha Guri.
Shembuj të ndryshëm të bërjes së BPGj-së në nivel lokal dhe atë qendror në Kosovë u ndanë me pjesëmarrësit nga përvoja e RrGK-së me këtë praktikë.
Kurse, në pjesën e dytë të kësaj punëtorie, pjesëmarrësit u ftuan të bëjnë punë praktike në lidhje me integrimin e BPGj-së dhe analizë sipas perspektivës gjinore të kategorive ekonomike si pagat dhe mëditjet, subvencionet dhe transferet, shpenzimet kapitale dhe në politika. Shembujt e punës praktike ishin të mbështetur mbi përvojën e RrGK-së për integrimin e BPGj-së në sektorë si: bujqësia, mjedisi, tregtia dhe industria, diaspora, arsimi dhe mirëqenia sociale.
Organizatat pjesëmarrëse ishin përzgjedhur në thirrjen e hapur për ngritje të kapaciteteve në BPGj, si pjesë e nismës rajonale mbi mbikëqyrjen e buxheteve sipas një perspektive gjinore, të financuar nga ADA.
Falë kësaj mundësie, plot 11 organizata nga Kosova do të marrin pjesë në punëtori bazike, të avancuar dhe të prokurimit publik mbi BPGj-në në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi, së bashku me organizata nga shtatë vende të Ballkanit Perëndimor (BP) dhe Moldavisë.
Ndër tjerash, organizatat patën rastin që të njoftohen edhe për mundësinë e aplikimit për grante në kuadër të kësaj nisme, kurse njohuritë e fituara do të mund t’i përdorin për t’u siguruar që resurset publike shfrytëzohen duke respektuar integrimin e perspektivës gjinore.
Ky takim është mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).
LEXO EDHE: EULOC mban punëtorinë e parë për promovimin e buxhetimit të drejtë gjinor