Të hënën, më 5 dhjetor, në Prishtinë u lansua Protokolli Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale. Me këtë rast RrGK e falënderoi Qeverinë dhe të gjitha institucionet relevante për punën, udhëheqjen dhe bashkëpunimin në finalizimin e këtij Protokolli, në veçanti Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Ministrinë e Drejtësisë.
Kjo pjesë kyçe e legjislacionit, të cilën Kosova nuk e kishte deri tash, është thelbësore për mbrojtjen e grave dhe vajzave ashtu siç e parasheh Konventa e Stambollit.
RrGK shpreh kënaqësinë që e ka mbështetur këtë proces duke marrë pjesë në grupet punuese qeveritare, përfshirë kontraktimin e ekspertes që e ka hartuar Protokollin, Dr. Monika Kocaqi; duke plotësuar draftin me të dhëna nga hulumtimet dhe përvojat tona dhe duke organizuar konsultime me 142 përfaqësues të mekanizmave koordinues në nëntë komuna/rajone në të gjithë Kosovën.
Gjatë kësaj kohe institucionet përgjegjëse dhe strehimoret e kanë diskutuar draft Protokollin dhe kanë ofruar njohuritë e tyre. Ky proces gjithëpërfshirës dhe “trekëndëshi” i bashkëpunimit në mes të institucioneve përgjegjëse, shoqërisë civile dhe mbështetësve ndërkombëtarë ka kontribuar që Protokolli i Kosovës të jetë shumë solid, informues dhe i përshtatshëm.
Gjithashtu përmes konsultimeve akterët kryesore janë ndërgjegjësuar dhe kjo do të kontribuojë në zbatimin e Protokollit. E tërë kjo punë u bë e mundur përmes mbështetjes nga UN Women si dhe stafit të RrGK-së të mbështetur nga ADA.
Tani kërkesat e RrGK-së për institucionet janë si në vijim:
1. I bëjmë thirrje qeverisë dhe parlamentit të finalizojnë Projektligjin për Dhunën me bazë gjinore në përputhje me Konventën e Stambollit dhe bazuar në komentet tona të hollësishme;
2. TË GJITHA institucionet përgjegjëse DUHET të trajnohen në mënyrë adekuate për këtë Protokoll dhe mënyrën e zbatimit të tij;
3. Duhet të ndajnë mjete të mjaftueshme në buxhetin e vitit 2023 për mekanizmat koordinues dhe veçanërisht për punësimin e mjaftueshëm të zyrtarëve të shërbimit social, të cilët do të trajnohen, certifikohen dhe specializohen në trajtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore; dhe
4. Të ndajë buxhet për legjislacionin në fuqi dhe veçanërisht për linjën telefonike SOS, Qendrën e Referimit të Dhunës Seksuale dhe Qendrat e Krizave të Dhunimit sipas Konventës së Stambollit, në mënyrë që rastet të trajtohen në mënyrë profesionale, me kohë dhe në mënyrë adekuate.
RrGK mezi pret të vazhdojë bashkëpunimin drejt përmirësimit të reagimit ndaj të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore, mbrojtjes si dhe ofrimit të shërbimeve rehabilituese për gratë dhe vajzat.