RrGK ndan përvojën me gratë lidere në Kachin

Shoqata e Grave Kachin në Tajlandë gjatë 19-30 nëntor organizoi programin trajnues Avancimi i Fuqizimit të Grave ku morën pjesë gratë lidere nga Kachin dhe Shan shtetet veriore. Trajnimi përfshinte disa tema, ndër të cilat me fokus të veçantë ishin të drejtat e njeriut dhe avokimi dhe negociatat për paqe. Në këto të fundit, pjesëmarrëset u njohën me përvojat e organizatave të grave në proceset e paqes në Kosovë dhe Kolumbi.

Me 27 nëntor, Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), përmes skype mbajti një sesion mentorimi për të ndarë përvojën e Kosovës dhe rolin e grave në procesin e shtetndërtimit.

Ajo foli për aktivizmin gjatë viteve të 90-ta në Kosovë, për shoqatën Motrat Qiriazi, si dhe për periudhën e luftës në Kosovë, kur kjo shoqatë nuk kishte ndërperë fare veprimtarinë e saj, për t’i ndihmuar kosovarëve të cilët kanë qenë të vendosur nëpër kampe si refugjatë. Të pranishmet patën mundësi poashtu të informohen lidhur me historinë e lëvizjes së grave në Kosovë, se si u themeluan organizatat e para për të drejtat e grave në Kosovë pas luftës, si dhe për historikun dhe punën e RrGK-së që nga themelimi i saj në vitin 2000 si rrjet jo-formal. Ndër të tjera znj. Rogova përmendi edhe raportet hulmtuese mbi dhunën në baza gjinore dhe ngacmimet seksuale në Kosovë; krijimin e Këshillit për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale në Kosovë; si dhe për iniciativat dhe hulumtimet lidhur me Monitorimin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1325 në Kosovë, rezoluta për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.