Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përgëzon dhe përkrah dy festivalet, Anibar dhe Dokufest, për vendosjen e fokusit mbi temën e Queer, Transgjinor dhe përkrahjen e personave LGBTIQ+. Tema e trajtuar nga këto dy festivale në këtë vit shërben si një hap i rëndësishëm drejt ndërgjegjësimit dhe pranimit të drejtave të njeriut, diversitetit gjinor dhe shprehjes së identitetit Queer dhe Transgjinor. Ajo se çfarë Anibar dhe Dokufest sollën në Kosovë këtë vit është një akt kulturor dhe artistik që e inkurajon dialogun hapur, ndërtimin e një shoqërie të hapur dhe të barabartë dhe zhvillimin e ndërgjegjësimit për të drejtat dhe nevojat e personat LGBTIQ+.
Anibar dhe Dokufest për herë të parë në Kosovë hapën dialogun në vende publike për të drejtat e personave Queer dhe Transgjinor në nivel lokal. Padyshim që tema e këtij viti e trajtuar nga këto dy festivale ka pasur edhe reagime të shumta që dërguan edhe në demolim të muralit të Festivalit Anibar në “Kosharka”. Por, RrGK falënderon dhe përkrah Anibar dhe Dokufest për “Love” dhe performancën në Dokunight që hapën diskutimin në nivel lokal në vende publike dhe qëndrueshmërinë e tyre për të sfiduar normat patriarkale.
Në një shoqëri patriarkale në të cilën normat tradicionale përpiqen t’i ndryshojnë vetëm festivalet dhe shoqëria civile, deputetët fuqizojnë këto norma me mos miratimin e Kodit Civil dhe gjuhën e urrejtjes së përdorur përfshirë në seanca parlamentare. Kjo gjuhë, duke u përdorur në instanca të tilla, përvetësohet dhe konsiderohet e pranueshme edhe nga populli, siç po vërehet tek manifestohet edhe në formë të grafiteve apo akteve të tjera të cilat shprehin gjuhë urrejtjeje ndaj Komunitetit LBTIQ+. RrGK do të vazhdojë avokimin për shqyrtim të Kodit Civil drejt ndërtimit të një shoqërie të barabartë dhe tolerante.