Rekomandohet integrimi i perspektivës gjinore në sektorin e sigurisë
Rrjeti i Grave të Kosovës për të dytën herë me radhë, përmes përfaqësueses Valmira Rashiti, ka qenë pjesë e delegacionit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në vizitën avokuese në Gjermani të organizuar nga Fondacioni Kvinna Till Kvinna, bashkë me organizatat partnere nga Ballkani Perëndimor.
RrGK, dhe njëherit, organizatat e rajonit e vlerësuan këtë jave si esenciale në theksimin e prioriteteve të grave dhe vajzave, krahas konteksteve shqetësuese politike e sociale të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Valmira Rashiti, RrGK, specifikisht theksoi tek përfaqsuesit e Gjermanisë nevojën për ridefinimin e kuptimit të nocionit të sigurisë, në një të tillë që i merr përsipër nevojat dhe shqetësimet e ndryshme të burrave dhe grave dhe i përfshin ato në dokumente strategjike; për më shume financim për organizatat e grave, hapësira e të cilave vecse është duke u reduktuar në rajon; dhe për më shume konsultim, përfshirje, të grave dhe OGSCHce në strukturat vendim-marrësem, me theks në dialogun Kosovë- Serbi.
Ndër takimet më të rëndësishme, RrGK thekson takimin me Përfaqësuesin special të qeverisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe takimin me Ministrinë Gjermane për Ekonomi dhe Zhvillim.
Meqenëse Ministria e Punëve të Jashtme gjermane është një aleate e rëndësishme e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e anëtarësimit në BE, delegacioni i OGSHC-ve dhe Kvinna till Kvinna së bashku, u takuan në Berlin me Dr Frédéric Jörgens, Zëvendës Shef i divizionit të Ballkanit Perëndimor të Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme Gjermane.
Gjithashtu është zhvilluar edhe një takim me Simon Rapp, asistentin e anëtarit të Bundestagut gjerman Adis Ahmetovic për të diskutuar mbi të drejtat e grave në Ballkanin Perëndimor dhe për të reflektuar mbi situatën në rajon.
Vizita javore u përfundua me një takim me Linn Selle, Shefe e Departamentit të Çështjeve Evropiane në Përfaqësinë Shtetërore të Rhein-Westfalisë në Qeverinë Federale Gjermane, e cila është e përkushtuar për një angazhim të shoqërisë civile dhe një qasje gjinore në procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
Këto takime patën në fokus rolin dhe potencialin e grave dhe shoqërisë civile në procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE , nën premisat e Strategjisë për Politikë të jashtme Feministe të miratuar së fundmi nga Gjermania.
RrGK dhe organizatat partnere u vlerësuan si akterë kyq ne konkretizimin e këtij dokumenti, drejt ofrimit të ekspertizës së tyre shumëvjecare në lidhje me barazinë gjinore dhe integrimin e perspektivës gjinore në dokumente të anëtarësimit në BE.
Takimet e kësaj jave ishin pjesë e vizitës vjetore të avokimit në Berlin, të mbështetur nga Kvinna Till Kvinna.
Fotot e ndara këtu janë meritë e Kvinna Till Kvinna.