RrGk reagon ndaj zbutjes së dënimit të Naser Pajazitajt

Download File

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shpreh shqetësimin në lidhje me zbutjen e dënimit të Naser Pajazitaj, vrasësit të Donjeta Pajazitajt. Pas ankesës së mbrojtjes së të akuzuarit, Gjykata e Apelit ka marrë vendim që Pajazitajt t’ia ulë dënimin nga i përjetshëm në burgim në kohëzgjatje prej 35 vjetësh.

RrGK shpreh shqetësimin për zbutjen e dënimit, aq më tepër në kohën kur rastet e dhunës ndaj vajzave dhe grave janë në rritje dhe natyrshëm pritet që organet e drejtësisë të shqiptojnë dënime maksimale.

Neni 173 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, qartazi e ka të caktuar dënimin për Vrasjen e Rëndë, ku thuhet se personi që shkakton vrasjen e anëtarit të familjes apo të fëmijës, dënohet me burgim të përjetshëm.

Ju rikujtojmë që e ndjera ishte shpallur e zhdukur për gjashtë javë, ndërsa trupi i saj i pajetë u gjet në bjeshkët e fshatit Strellc në dhjetor të vitit 2015. Në atë kohë, RrGK dhe Lobi për Barazi Gjinore patën reaguar, duke kërkuar nga institucionet e drejtësisë të hetojnë rastin dhe të gjejnë vrasësin e të ndjerës.

Gjithashtu, më 23 qershor 2022, Gjykata Themelore në Ferizaj, në rigjykim e ka dënuar me dënim të përjetshëm Naser Pajazitajn, i akuzuar për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në nëntor të 2015-ës. Andaj, RrGK si rrjet i 190 organizatave të ndryshme të të drejtave të grave në gjithë Kosovën, kërkon që të kthehet vendimi i Gjykatës Themelore me burgim të përjetshëm dhe Gjykata e Apelit të mos e zbusë dënimin. Zbutja e dënimeve të veprave të tilla vetëm tregojnë dhe e shpërfaqin edhe një herë se si institucionet tona të drejtësisë nuk i trajtojnë me seriozitet vrasjet e grave në Kosovë.

RrGK mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 038 245 850.