Me datë 23 shkut, përmes një reagimi publik RrGK shprehu shqetësimin lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit për rikthim në rigjykim të rastit të Dardan Krivaçës për vrasjen e Marigona Osmanit. Ndër rastet e pakta në Kosovë e cila është dënuar me dënim meritor nga Gjykata Themelore e Ferizajit, Gjykata e Apelit vendosë që këtë lëndë ta kthej në rigjykim me pretendimin se si faktorë lehtësues duhet të mirret arsyeja e vrasjes xhelozia.
Institucionet e drejtësisë të shoqëruara me mendësi patriarkale me vendime dhe arsyetime të tilla vazhdojnë t’i mbajnë gratë në marrëdhënie të dhunshme që çon deri tek vrasja e tyre. Kjo sepse, sipas tyre, dhuna në familje dhe vrasja e grave ka arsyetim kur ndodhë për shkaqe xhelozie. Vendimi i Gjykatës së Apelit është vendim i papranueshëm dhe na çon në dekurajim të viktimave të dhunës në familje që ato të kërkojnë ndihmë dhe të shpresojnë tek sistemi i drejtësisë.
Ky rast, na shpërfaqë edhe njëherë mangësitë institucionale në trajtimin me seriozitet të vrasjeve të grave dhe të femicidit. Vrasja e Marigona Osmanit nuk është rast i izoluar e as ndodhi rastësore, Marigona vdiq në një vend në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, zvarritje të hetimeve dhe me kthime të lëndëve në rigjykim derisa vrasësit të mbrohen nga sistemi i drejtësisë si të pafajshëm apo edhe të marrin dënime të ulëta.
RrGK kërkon që të kthehet dënimi i Gjykatës Themelore të Ferizajit dhe të mos mirren parasysh ankesat e vrasësve të grave, kjo që të jipet dënimi maksimal sipas dispozitave ligjore që Kosova ka në fuqi. RrGK do të vazhdoj të monitoroj rastin dhe do të monitoroj trajtimin institucional në mënyrë që vendimi me burgim të përjetshëm tek Dardan Krivaqës të mos ndryshojë.
RrGK mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 048 105 800.