RrGK takon Haxhiun, vlerësohet kontributi i organizatave të grave 

Përfaqësueset e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive dhe Adelina Berisha, Menaxhere e Programit mbi Dhunën në Baza Gjinore më 10 shkurt kanë vizituar Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. 

Përgjatë këtij takimi u diskutua për punën dhe aktivitetet e kahmotshme të RrGK-së për luftimin e dhunës me bazë gjinore, për strategjinë e re që duhet përpiluar për luftimin e dhunës me bazë gjinore, si për Ligjin e ri Kundër Dhunës në Familje, i cili duhet të jetë në përputhje me Konventën e Stambollit. 

RrGK ka njoftuar Haxhiun rreth aktiviteteve të cilat po zhvillohen për ngritje të vetëdijes dhe senzibilizim të opinionit publik lidhur me të drejtat e grave dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së barabartë të grave në shoqëri. 

Në takim po ashtu u diskutua për rolin e Koordinatorit Nacional Kundër Dhunës në Familje, dhe rëndësisë që ky mekanizëm ka në luftimin e këtij lloji të dhunës. 

Ministrja Haxhiu premtoi bashkëpunim edhe për çështjen e projektligjit të ri për mbrojtjen nga dhuna në familje, i cili synon të shtojë mekanizmat e mbrojtjes ndaj dhunës në familje. Për këtë ministrja Haxhiu shtoi se përfshirja e Rrjetit të Grave dhe organizatave të tjera mbetet tejet me rëndësi. 

LEXO EDHE: RrGK takohet me Osmanin, vazhdon mbështetjen për strehimoret