Rrjeti i Grave të Kosovës organizon ekspozitën “Dhuna nuk fshehet mrena mureve” në Vushtrri 

Download File

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) nesër, më 05 korrik nga ora 10:00-16:00 te Sheshi “Adem Jashari” në Vushtrri organizon hapjen e ekspozitës “Dhuna nukfshehetmrena mureve”. 

Kjo ekspozitë ka për qëllim të ngrisë vetëdijen e qytetarëve të Republikës së Kosovës në lidhje me dhunën në familje dhe për t’i njoftuar ata për së afërmi me përgjegjësitë që institucione të ndryshme qeveritare dhe jo-qeveritare kanë ndaj tyre, për mbrojtje nga dhuna në familje. 

Dhuna në shumë familje kosovare është përditshmëri tejet e hidhur.

Mjerisht, në shoqërinë tonë personat që përjetojnë dhunë në familje akoma fshehen brenda mureve të shtëpisë. Kur njerëzit dëgjojnë dhunën te fqinjët, thonë “Çka bojnë ata mrena shpisë tyne, osht’ punë për ta”. 

Vetëm gjatë vitit 2022 kemi pasur 2764 raste të dhunës ndaj grave të raportuara në policinë e Kosovës.

Gjithashtu që nga viti 2010 deri në vitin 2022 janë 50 gra të vrara nga burrat. Prandaj, është tejet e rëndësishme që kjo ekspozitë të organizohet dhe të njoftohen qytetarët për përgjegjësitë që institucionet kanë ndaj tyre. 

Ftohen mediat ta përcjellin këtë ngjarje. 

Kjo ekspozitë përkrahet nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).