RROGRAEK: Zëri i grave dhe vajzave rome, ashkalike dhe egjiptiane

Përmes punës së drejtpërdrejtë në komunitet, Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkalike dhe Egjiptiane të Kosovës (RROGRAEK) fuqizon gratë dhe vajzat që t’i njohin të drejtat e tyre, ta ngrenë zërin dhe të marrin pjesë në vendimmarrje. 

Rrugëtimi i RROGRAEK nisi si një grup joformal i grave që dëshironin të bashkëpunonin dhe t’i adresonin së bashku sfidat e tyre. Kjo nismë u formalizua në vitin 2007. 

Me seli në Prishtinë dhe me angazhim në komunitete anembanë Kosovës, RROGRAEK punon për mbështetjen, integrimin dhe promovimin e të drejtave të grave dhe vajzave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Puna e saj përfshin arsimin, shëndetësinë, barazinë gjinore, të drejtat e grave dhe fëmijëve, si dhe pjesëmarrjen e tyre në jetën publike dhe politike. 

Rezultatet e punës së saj janë të dukshme edhe në terren. Në kuadër të bashkëpunimit me Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK) RROGRAEK ka realizuar një fushatë derë më derë dhe digjitale për ndërgjegjësimin rreth dhunës me bazë gjinore dhe dhunës me bazë gjinore të lehtësuar nga teknologjia, duke arritur drejtpërdrejt 1,450 persona nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, përfshirë 39 persona me aftësi të kufizuara. 

Përmes kësaj fushate, ekipi i RROGRAEK ka zhvilluar vizita derë më derë dhe ka shpërndarë fletëpalosje e materiale edukative për format e dhunës, parandalimin dhe mënyrat e raportimit të saj. 

Përmes takimeve, punëtorive dhe fushatave ndërgjegjësuese, RROGRAEK u ofron grave dhe vajzave informata për të drejtat e tyre dhe krijon hapësira ku ato mund t’i ndajnë përvojat, nevojat dhe shqetësimet e tyre. Organizata realizon gjithashtu hulumtime, shkëmben përvoja dhe përdor të dhënat nga terreni për të avokuar pranë institucioneve, me synim që nevojat e grave dhe vajzave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian të përfshihen në politika dhe procese vendimmarrëse. 

Një pjesë e rëndësishme e punës së saj është rritja e qasjes së grave dhe vajzave në arsim dhe shërbime shëndetësore. Organizata punon gjithashtu për fuqizimin e tyre ekonomik dhe politik, duke synuar që ato të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në familje, komunitet dhe institucione. 

Në kuadër të iniciativës “Rrethi ynë i sigurt dhe i fortë”, RROGRAEK organizon takime mbështetëse dhe fuqizuese për gratë rome, ashkalike dhe egjiptiane. Këto takime u mundësojnë grave të shkëmbejnë përvoja, të ndërtojnë besim dhe solidaritet dhe ta mbështesin njëra-tjetrën në përballimin e sfidave të përditshme. 

Krahas takimeve, organizata zhvillon punë të drejtpërdrejtë në terren, duke u ofruar grave mbështetje psikosociale, informim, referim në shërbimet përkatëse dhe ndihmë praktike sipas nevojave të tyre. 

Ndër vite, RROGRAEK ka trajtuar martesat e hershme, dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore, duke angazhuar gra, vajza, të rinj dhe burra në rritjen e njohurive për format e dhunës, pasojat dhe mënyrat e raportimit të saj. 

Gjatë takimit me Shpresa Agushin, drejtore ekzekutive e organizatës, RrGK diskutoi për rezultatet e RROGRAEK, sfidat me të cilat përballen gratë dhe vajzat nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe mundësitë për vazhdimin e bashkëpunimit. 

Anëtare e RrGK-së që nga viti 2007, RROGRAEK ka shkëmbyer përvoja me organizatat e tjera anëtare dhe ka kontribuar në nisma të përbashkëta për avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore. 

RrGK do të vazhdojë bashkëpunimin me RROGRAEK dhe organizatat e tjera anëtare, duke mbështetur përpjekjet e tyre për avancimin e të drejtave, fuqizimin dhe përfshirjen e grave dhe vajzave në Kosovë. 

Më shumë rreth punës dhe aktiviteteve të RROGRAEK-ut mund të mësoni në faqen e saj zyrtare.