“Ruka Ruci” organizon diskutimin për mundësitë e avancimit të barazisë gjinore

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), “Ruka Ruci” në vazhdën e akiviteteve të ndërmarra si pjesë e nismës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, me datën 23 dhjetor ka mbajtur diskutimin Avancimi i Barazisë Gjinore.

Aktiviste për të drejtat e grave dhe përfaqësuese të institucioneve diskutuan për punën e bërë deri më tani rreth avancimit të pozitës së grave në shoqëri, me theks të veçantë pjesëmarrjen e grave në politikë.

Nevenka Rikalo, Koordinatore e Projektit, fillimisht ka prezantuar këtë nismë katër vjeçare të mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.

“Më vjen mirë që sot kemi të pranishme pjesëmarrëse nga niveli qëndror si dhe nga RrGK-ja. Këto janë ndihmë për fuqizimin e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në politikë. Gjithashtu, RrGK përkrah anëtaret e saj përmes Lobit për Barazi Gjinore (Lobi), me anëtaret e së cilit jemi duke bashkëpunuar më shumë gjatë kësaj nisme të përbashkët”, tha Rikalo.

Tutje, Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, ka theksuar nevojën që të zbatohet Ligji për Barazi Gjinore (LBGj), i cili përcakton pjesëmarrjen e barabartë të grave dhe burrave në politikë në nivel lokal dhe në atë nacional.

“Hulumtimet e shumta tregojnë se qeverisja pa pjesëmarrjen e grave dhe vajzave aty ku merren vendime e shpërndahen burime financiare, është qeverisje e pabalancuar, e padrejtë dhe nuk kontribuon në arritjen e paqes sociale”, tha ajo.

Ndërsa, Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova, ka kujtuar fillet e aktivizmit dhe bashkëpunimit me “Ruka Rucin”, duke sjellë në diskutim rëndësinë që ka përfshirja e burrave në aktivizmin për barazi gjinore.

“Është e rëndësishme që edhe burrat të kyçen në përpjekjen tonë për barazi gjinore. Po ashtu, ne duhet të tregohemi solidare me njëra-tjetrën, që pastaj ky solidaritet të reflektojë edhe në rastet kur gratë arrijnë pozita të larta udhëheqëse në politikë dhe procese vendimmarrrëse”, u shpreh ajo.

Ndër të tjerash, Rogova ka përmendur kontributin e fushatës së RrGK-së “Voto për më shumë gra në paralament”, të cilën RrGK e ndërmori gjatë shtatorit 2019, në prag të zgjedhjeve parlamentare.

Pjesë e këtij diskutimi ishin edhe Premtime Preniqi, Zyrtare për Barazi Gjinore në Komunën e Prishtinës, Radmila Kapetanović, aktiviste dhe anëtare e Mekanizmit për Brazi Gjinoe kundër Dhunës në Familje, Komuna e Zubin Potokut, dhe Zorica Timotijević, aktiviste dhe Koordinatore për Barazinë Gjinore dhe Dhunën në Familje, Komuna e Leposaviqit.

LEXO EDHE:

Ruka Ruci njofton gratë e Uglarës për “Fuqizimin e Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”

“Ruka Ruci” mbështet pjesëmarrjen e grave të Plemetinit në politikë

“Ruka Ruci” vazhdon aktivitetet për fuqizimin e pjesëmarrjes së grave në politikë