“Ruka Ruci” vazhdon aktivitetet për fuqizimin e pjesëmarrjes së grave në politikë

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) “Ruka Ruci”, më 15 tetor në Graçanicë ka mbajtur punëtori rreth Ligjit për Barazi Gjinore (LBGj), legjislacionit që rregullon pjesëmarrjen e grave në politikë si dhe rreth legjislacionit të Bashkimit Evropian (BE) për barazi gjinore.

12 gra nga Mitrovica, Novobërda, Graçanica, Lipjani, Parteshi dhe Ranillugu kanë diskutuar së bashku lidhur me ngritjen e kapaciteve për përfshirje në politikë dhe procese vendimmarrëse. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga KFOR-i.

Nevenka Rikallo, Koordinatore e Projektit “Fuqizimi i pjesëmarrjes së grave në politikë”, ndau me të pranishmit qëllimin dhe pritjet e kësaj nisme.

Moderatorja Radmila Kapetanoviq prezantoi kornizën ligjore dhe institucionale për promovimin e pjesëmarrjes më të madhe të grave në politikë.

Gjatë diskutimit Gordana Toskiq, Drejtore Ekzekutive e “Ruka Ruci” informoi se së shpejti do të mbahet një takim me përfaqësueset e Lobit për Barazi Gjinore (Lobi), i cili ka rol kyç në bashkimin e grave dhe udhëheqjen e diskutimeve për mirëqenien e tyre.

“Nëse secila prej nesh bën vetëm disa hapa në rrugën drejt zhvillimit të dialogut, bashkëpunimit, ndërtimit të paqes, atëherë ne do të jemi më afër realizimit të së drejtës të barazisë së grave dhe burrave në Kosovë”, theksoi ajo.

Dushica Stojkoviq, nga OJQ “Ženski inkluzivni centar” nga Novobërda tha se termet dhe konceptet që ndërlidhen me gjini, si; integrimi i perspektivës gjinore, ndjeshmëria gjinore, barazia gjinore, drejtësia gjinore, duhet të shpjegohen më shpesh në komunitet mes të rinjve sepse të gjitha këto janë të përfshira në ligjet, por nganjëherë nuk përdoren në familje, politikë dhe komunitet.

Tutje, pjesëmarrësja Vesna Stajic diskutoi lidhur me mekanizmat ekzistues institucionalë për barazinë gjinore, ndër të cilët vuri në pah rolin pozitiv të Agjencisë për Barazi Gjinore (ABGj) dhe Zyrtareve për Barazi Gjinore në nivelin lokal.

Megjithatë, sipas saj, LBGj ka disa mangësi duke qenë se nuk parasheh sanksione për partitë politike, apo institucionet e tjera të cilat nuk e zbatojnë atë.

Gjatë diskutimit, pjesëmarrësja tjetër, Sonja Stojanoviq tha se ka ende pengesa në përfshirjen e grave në zgjedhje. Sipas saj, mungesa e vullnetit politik dhe përceptimet e shoqërisë janë disa nga faktorët që pengojnë ndërtimin e një shoqërie të barabartë mes burrave dhe grave.

Në fund të punëtorisë, pjesëmarrëset u pajtuan se është e nevojshme që të ketë edhe më shumë takime të tilla informuese me gratë, të rinjtë, dhe komunitetet jo-shumicë që jetojnë në vende rurale.

Kjo punëtori është mbajtur në kuadër të aktiviteteve të nismës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.