Më 6 shkurt, Shoqata e Gruas “Aureola”, organizatë kjo anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) , mbajti tryezën e diskutimit “Avancimi i Ligjit për Trashëgimi me qëllim të garantimit të sigurisë ekonomike nga trashëgimia familjare për trashëgimtaret femra”, në kuadër të iniciativës katër mujore “Avancimi i Ligjit të Trashëgimisë”.
Në diskutim morën pjesë; Albulena Haxhiu, Kryetare e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Mexhide Mjaku–Topalli, Kryetare e Grupit të Grave Deputete, Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK-së, Flora Durmishi, Redaktore në Radio Kosova, Leonora Selmani nga Agjencia për Barazi Gjinore, si dhe përfaqësues nga organizata të tjera që punojnë për të drejtën në pronë dhe trashëgimi.
Haxhiu në fjalën e saj theksoi se vazhdimisht i përcjell raportet e hartuara nga RrGK-ja dhe organizata të tjera.
“Gratë nuk pranojnë të marrin pronën me frikën se “përjashtohen” nga familja. Efektet e mentalitetit patriarkal i shohim edhe në gjykata, ku shpesh herë gjyqtarët bëjnë një lloj presioni që gruaja/vajza të heq dorë nga trashëgimia”, u shpreh ajo.
Kurse, Rogova ka vlerësuar se problemi nuk qëndron te ligjet, por te mungesa e zbatimit të tyre.
“Më herët e drejta në pronë ka qenë tabu, ndërsa tani kemi disa lëvizje pozitive sa i përket kësaj çështjeje. Rrjeti ka bërë një fushatë në 5 komuna, kemi shkuar derë më derë edhe i kemi pyetur gratë a kanë nevojë për ta regjistruar pronën, me ç’rast u kemi ofruar ndihmë për t’u mbuluar shpenzimet administrative”, ka thënë Rogova.
Tutje, Mjaku -Topalli duke njohur punën e bërë nga organizatat për këtë temë, ka vënë theksin te rëndësia e mediave për sensibilizimin e opinionit publik për këtë temë.
Të pranishmet u pajtuan se realizimi i së drejtës së grave dhe vajzave për trashëgimi do të ndikonte në fuqizimin ekonomik dhe përmirësimin e jetës së tyre.
Kjo iniciativë është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) si dhe është financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).