Shoqata Norma ngrit vetëdijen e grave për ndihmë juridike falas

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Shoqata e Juristёve Norma, ka mbajtur tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të organizatave ofruese të ndihmës juridike falas.

Qëllimi i tryezës ishte synimi i përmirësimit të qasjes në drejtësi për gra dhe vajza, dhe t’u ndihmojë grupeve dhe rasteve që kanë nevojë për ndihmë juridike falas.

Norma po ashtu synon të sigurojë respektimin e plotë të të drejtave të njeriut të garantuara me ligjet e Kosovës, si dhe normat dhe standardet ndërkombëtare.

“Norma dhe përfaqësuesit e OJQ-ve prezente, po ashtu shprehën qëllimet për të synuar dhe  siguruar respektimin e plotë të të drejtave të njeriut të garantuara me ligjet e Kosovës, si dhe normat dhe standardet ndërkombëtare. Përfaqësuesi i Agjencionit për Ndihmë Juridike, përveç tjerash njoftoi pjesëmarrësit për Rregulloren lidhur me bashkëpunimin e tyre me OJQ ofruese të ndihmës juridike dhe për përfshirjen e Agjencionit në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë”, tha Drejtorja Ekzekutive e Norma-s, Znj. Valbona Salihu.

Anëtarët e Norma-s e kanë vlerësuar lartë mbështetjen nga RrGK-së, duke e cilësuar si një mundësi shumë te mirë për ripërtëritjen e organizatës dhe për vazhdimin e ofrimit të ndihmës juridike falas, në të njëjtën kohë dhe mundësinë për të shfrytëzuar përvojën dhe ekspertizën mbi njëzet vjeçare të Norma-s.  

Aktiviteti i shoqatës Norma është mbajtur falë grantit të përfituar në raundin e 18-të i Fondit të Grave të Kosovës të RrGK-së për mbështetje organizative, financuar nga Fondacioni Sigrid Rausing.