Shoqëria Civile është bashkuar për të reaguar ndaj arrestimeve të sotme që Policia e Kosovës ka bërë gjatë protestës së studentëve, protestë në të cilën morën pjesë edhe disa organizata nga shoqëria civile.
Në mesin e të arrestuarve është edhe Ilir Deda, drejtor ekzekutiv në Institutin KIPRED, i cili, sipas reagimit të Shoqërisë Civile, ishte në përpjekje për të qetësuar masën, gjë për të cilën, sipas tyre ekzistojnë edhe incizimet të cilat dëshmojnë këtë.
“Policia ka arrestuar z. Deda në kohën kur po provonte të bisedonte me policinë për të qetësuar protestën. Arrestimi i studentëve dhe pjesëtarëve të shoqërisë civile është akt jodemokratik dhe cenon lirinë e asociimit, si një e drejtë e garantuar me Kushtetutë”, thuhet në reagimin e organizatave përkrahëse të kërkesave të studentëve të UP-së.
Sipas këtij reagimi, protesta dhe kërkesat e studentëve për largimin e rektorit Ibrahim Gashi, siç thonë ata, “i zënë në mashtrim”, për krijimin e një mekanizmi objektiv që do të verifikonte thirrjet akademike deri më tani, me qëllim të krijimit të një universitet transparent dhe llogaridhënës, janë të drejta.
“Për këtë, shoqëria civile mbetet e përkushtuar në përkrahjen e kauzës së drejtë dhe legjitime të studentëve”, thuhet në fund të reagimit të organizatave përkrahëse të kërkesave të studentëve të Universitetit të Prishtinës.
Organizatat përkrahëse: Instituti për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, KIPRED, Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, RrGGK, Syri i Vizionit, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, KCSF, Iniciativa për Progres, INPO, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, GSJP, Instituti për Studime të Avancuara, GAP, Instituti Demokraci për Zhvillim, D4D.