Gëzimi, një djalë ambicioz, u takua me Drejtorin e Shkollës Speciale për Persona të Verbër dhe me të Pamur të Dobësuar për të kërkuar makina shkrimi të Brajlit shtesë për të gjithë studentët. Ai ka vendosur të vazhdoj të jetë këmbëngulës derisa shkolla të pajiset me makina të mjaftueshme për të gjithë studentët.
“Unë nuk e kam në plan të ndalem derisa të arrijë këtë qëllim. Nuk më brengos fakti se sa takime do të më duhet të mbajë,” tha ai.
Gëzimi ishte në mesin e të rinjëve të verbër dhe me të pamur të dobësuar që morrën pjesë në një diskutim për të promovuar përdorimin e alfabetit të Brajlit. Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës mblodhi disa të rinjë në qendrën e tyre të re me 14 Shtator në Prishtinë, për t’i informuar ata rreth iniciativës së re dhe për të marrë sygjerime.
Të rinjët ishin të ngazëllyer që Komiteti do të bashkëpunojë me shkollën fillore si dhe me Ministrinë e Edukimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për të prezantuar për herë të parë tabelat e Brajlit. Alfabeti i Brajlit përdorë kombinime të ndryshme të gjashtë pikave, ku secili kombinim paraqet një shkronjë të alfabetit. Ky alfabet iu mundëson personave të verbër të lexojnë duke përdorur ndjenjen e prekjes, në vend se të përdorin sytë. Nëpërmjet prezantimit të tabelave të Brajlit në shkolla, Komiteti i Grave të verbëra të Kosovës do të ndihmojë studentët e verbër dhe me të pamurit e dobësuar të mësojnë alfabetin e Brajlit, që të jenë të aftë për të lexuar. Për këtë arsye, makinat e shkrimit të alfabetit të Brajlit janë të rëndësishme për nxënësit. Ato planifikojnë që së pari të prezantojnë tabelat këtë vit në shkollat “Emin Duraku” dhe “Anton Z. Çajupi” në Prishtinë.
Komiteti i Grave të Verbëra gjithashtu planifikon të përfshijë të rinjët në aktivitetet për ngritjen e vetëdijes në mesin e drejtorëve, mësimdhënësve dhe nxënësve nëpër shkolla lidhur me nevojat e tyre dhe rëndësinë e përdorimit të alfabetit të Brajlit.
”Kam nevojë që ju të jeni nxënës me nota të shkëlqyeshme në shkollë dhe të shërbeni si shembull pozitiv për nxënësit tjerë, në mënyrë që t’i bindim njerëzit të na ndihmojnë për të arritur qëllimin tonë,” tha Drejtoresha e Komitetit, Bajramshahe Jetullahu.
Iniciativa e Komitetit inkurajon të rinjët të avokojnë për të drejtat e tyre në edukim. “Nevoja jonë më e madhe është që të kemi mirëkuptimin e qytetarëve,” tha njëra nga vajzat pjesë e iniciativës. “Ata duhet ta kuptojnë që kurrë askush nuk mund ta dijë se çfarë do t’i sjellë jeta. Ndoshta një ditë edhe ata do të bëhen [të verbër] si ne, dhe do të kenë nevojë për dikë që t’iu ndihmojë.”
Iniciativa e Komitetit të Grave të Verbëra të Kosovës është përkrahur nga Fondi i Grave të Kosovës në RrGGK.