THIRRJE PËR APLIKIM NË KUADËR TË FONDIT TË GRAVE TË KOSOVËS

Publikuar më: 21 gusht 2023                                Afati i fundit për aplikim: 20 shtator 2023

PËRSHKRIMI I PROGRAMIT

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka kënaqësinë të publikojë raundin e 19-të të granteve në kuadër të Fondit të Grave të Kosovës (FGK). Ftojmë organizatat tona anëtare të aplikojnë me projekte të cilat do të kontribuojnë në avancimin e të drejtave të grave dhe vajzave dhe barazisë gjinore në Kosovë. Aplikacionet duhet të demonstrojnë se si organizatat propozojnë të kontribuojnë në realizimin e Strategjisë dhe objektivave të saj të identifikuara nga anëtaret e RrGK-së, në kuadër të Strategjisë së RrGK-së për periudhën 2023-2026, duke avokuar për përkrahjen, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave dhe interesave të grave dhe vajzave, si dhe duhet të përfshijnë qasjen e cila promovon të drejtat e njeriut dhe të mbështesin ndryshime afatgjata.

RrGK inkurajon fuqishëm të ndërmerren iniciativa avokuese në nivel lokal dhe/ose qendror. Avokimi mund të përfshijë takime me zyrtarë të institucioneve, ngritjen e vetëdijes për të drejtat e njeriut, hulumtim të politikave, propozime për ndryshimin e politikave dhe inkurajimin e qytetarëve për t’i mbrojtur të drejtat e tyre. Këto iniciativa duhet të kontribuojnë në arritjen e rezultateve të prekshme dhe të dukshme (p.sh., legjislacion i ri, shërbime të reja, dokumentimi i shkeljeve të të drejtave të grave për qasje në kujdes shëndetësor, etj.). Ju lutemi keni parasysh se vetëm aktivitetet e ndërmarra nuk mund të konsiderohen si rezultate të arritura të projektit.

Llojet e aktiviteteve që do të merren parasysh për përkrahje financiare përfshijnë: organizimin e takimeve me gra dhe vendimmarrësit, organizimin e fushatave për vetëdijesim dhe avokim, ngritjen e kapaciteteve të grave dhe vajzave që të avokojnë për prioritetet e tyre, përkrahjen e grave dhe vajzave në takime me politikë-bërësit për të influencuar ndryshime në ligjet ekzistuese dhe rregulloret që kanë të bëjnë me shqetësimet e tyre, hulumtime të orientuara drejt politikave, duke përfshirë rishikimin e kurrikulave dhe materialeve mësimore dhe/ose dokumentimin e shkeljeve të të drejtave, propozimin e ndryshimeve të politikave, marrëdhëniet me publikun mbi çështjet avokuese, rrjetëzimin/shkëmbimin e përvojave me qëllim të rritjes së pjesëmarrjes së grave dhe avancimin e të drejtave të njeriut, trajnime, tryeza të rrumbullakëta/diskutime dhe strategji të tjera avokuese.

Llojet e aktiviteteve që nuk do të merren parasysh përfshijnë: aktivitetet që lidhen vetëm ose kryesisht me sponsorizime individuale për pjesëmarrje në punëtori, seminare, konferenca dhe kongrese; veprimet që lidhen vetëm ose kryesisht me bursa individuale për studime ose kurse trajnimi; blerjen e objekteve ose zyrave; blerjen e automjeteve; blerjen e pajisjeve (përveç nëse është e nevojshme për zbatimin e suksesshëm të projektit) si dhe veprimet që përkrahin partitë, grupet dhe lëvizjet politike.

Në përputhje me Strategjinë e RrGK për 2023-2026 dhe fondet e disponueshme, për financim do të zgjidhen vetëm iniciativat që kontribuojnë dhe kanë të bëjnë me programet, qëllimet dhe rezultatet e pritshme të RrGK-së si në vijim:

Avancimi i barazisë gjinore përmes sundimit të ligjit

  • Qëllimi: Gratë kanë qasje më të mirë në kujdesin shëndetësor.
  • Rezultatet e pritshme: Më shumë zyrtarë publikë, gra, vajza dhe burra të informuar për të drejtën e grave për kujdes shëndetësor dhe shkeljet e të drejtave të tyre; Më shumë gra avokojnë për të drejtën e tyre për qasje në kujdes shëndetësor cilësor.
  • Treguesit: 1) # i takimeve ndërmjet RrGK ose anëtareve të tij dhe zyrtarëve publikë ku diskutohen të drejtat e grave; 2) # i grave dhe burrave të frymëzuar të ndërmarrin veprime për të mbrojtur të drejtën e tyre për qasje në kujdes shëndetësor cilësor, sepse kanë njohuri për këtë të drejtë; 3) # i shkeljeve të të drejtave të dokumentuara nga grupet për të drejtat e grave.
  • Shembuj të aktiviteteve:
  • Përfshirja e grave në avokim për qasje më të mirë në kujdes cilësor shëndetësor, duke përfshirë marrjen e masave për të kërkuar ofrimin e kujdesit shëndetësor cilësor dhe të përballueshëm dhe/ose për të raportuar shkeljet e të drejtës së grave për qasje në kujdes shëndetësor;
  • Bashkëpunimi me gratë për të raportuar zyrtarisht shkeljet e të drejtave tw tyre për qasje në kujdes shëndetësor tek autoritetet përkatëse (sidomos për shëndetin riprodhues dhe shëndetin e nënave pas ndërgjegjësimit të tyre për të drejtat e tyre, me mbështetjen e ekspertëve të kontraktuar nga RrGK;
  • Konsultimi i raportit hulumtues të RrGK-së, Qasja në kujdesin shëndetësor në Kosovë dhe të dhënave të tjera në dispozicion mbi qasjen e grave në kujdes cilësor shëndetësor në mënyrë që të përdoret për të kontribuar në avokim dhe ngritjen e vetëdijes.

Transformimi i normave gjinore përmes edukimit

  • Qëllimi: RrGK dhe anëtaret e saj janë më të angazhuar në avokimin e qasjes në edukim që transformon rolet tradicionale gjinore.
  • Rezultatet e pritshme: RrGK dhe anëtaret e saj janë më të angazhuar në avokimin e qasjes në edukim që transformon rolet tradicionale gjinore.
  • Treguesit: 1) # i iniciativave të reja të ndërmarra për të avokuar për më shumë qendra parashkollore dhe ato të kujdesit për fëmijët; 2) # i raporteve me rekomandime për përmirësimin e kurrikulave të dorëzuara tek aktorët përkatës; 3) # i kurseve të monitoruara për të siguruar mësimdhënie të duhur.
  • Shembuj të aktiviteteve:
    • Përdorimi i metodologjisë së vendosur nga RrGK për të vëzhguar mësimdhënien në klasë nga perspektiva gjinore, me mbështetjen e ekspertëve të kontraktuar nga RrGK;
    • Avokimi në nivel lokal dhe qendror për ngritjen e vetëdijes  e më shumë zyrtarëve për nevojën e më shumë qendrave parashkollore dhe qendrave të kujdesit për fëmijë;
    • Avokimi për përmirësimin e edukimit seksual në shkolla, dhe/ose në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI);
    • Monitorimi i institucioneve parashkollore dhe qendrave të kujdesit ditor lidhur me cilësinë e edukimit të ofruar në përputhje me legjislacionin e edukimit parashkollor, si dhe avokimi i përfshirjes së mësimdhënies drejt transformimit të normave tradicionale gjinore;
    • Bashkëpunimi me komunat dhe/ose MASHTI për të mbështetur mësuesit në përmirësimin e teknikave të tyre të mësimdhënies drejt metodave dhe përmbajtjes së mësimdhënies transformuese gjinore;
    • Bashkëpunimi me MASHTI për rishikimin dhe përmirësimin e kurrikulave në shkolla në nivel tjetër nga një perspektivë gjinore drejt transformimit të normave gjinore.

Do të merren parasysh vetëm propozimet që lidhen me këto objektiva. Propozimet e tjera nuk do të shqyrtohen. RrGK rezervon të drejtën të financojë disa apo asnjë nga aplikacionet e paraqitura, si dhe të diskutojë me organizatat aplikuese aplikacionin e tyre në përputhje me kategoritë e lartpërmendura.

NDARJA, MADHËSIA, LLOJET DHE KOHËZGJATJA E GRANTEVE

Financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) me bashkëfinancim nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida) përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë dhe në kuadër të nismës “Avancimi i mëtejshëm i të drejtave të grave në Kosovë II”, RrGK parasheh të ndaj përafërsisht nëntë grante në vlerë maksimale prej 10,000 € për grant e në vlerën e përgjithshme prej 90,000 €.

Projektet pritet të fillojnë më 1 janar 2024 dhe mund të zgjasin maksimalisht deri në dymbëdhjetë (12) muaj nga momenti i nënshkrimit të kontratës.

KRITERET E PËRZGJEDHJES

Organizatat që aplikojnë duhet të përmbushin kriteret minimale të mëposhtme:

  1. Të planifikojnë dhe të zbatojnë aktivitete në përputhje me strategjinë e tyre organizative;
  2. Të ndërmarrin aktivitete që kontribuojnë në zbatimin e Strategjisë së RrGK-së 2023-2026, që përfshinë programet në vazhdim:
    1. Avancimi i barazisë gjinore përmes sundimit të ligjit; dhe
    2. Transformimi i normave gjinore përmes edukimit
  3. Të sigurojnë 10% të kostos totale të projektit nga ndonjë donator tjetër apo vetëkontribut (p.sh. punën vullnetare të dokumentuar). Shuma e 10% duhet të pasqyrohet në buxhetin e propozuar;
  4. Nuk duhet të ketë anëtare të stafit që janë aktualisht pjesë e bordit të RrGK, ose pjesë e Komisionit për vlerësimin e granteve (KVG).
  5. Të planifikojnë dhe të zbatojnë iniciativa që përfshijnë avokimin, drejt sjelljes së ndryshimeve të qëndrueshme në mbështetjen, mbrojtjen ose promovimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore në nivel komunal dhe/ose kombëtar.
  6. Të planifikojnë iniciativa që synojnë të sjellin rezultate të prekshme dhe të dukshme (p.sh., legjislacion i ri, shërbime të reja, raportime për rastet e shkeljes së të drejtave të grave për qasje në kujdes shëndetësor, raste të monitoruara gjyqësore, kurrikula transformuese gjinore, etj.).
  7. Të mos kenë qenë të përfshira në korrupsion, keqpërdorim të fondeve, apo keqmenaxhim të projekteve apo fondeve të projektit; dhe nuk kanë marrë asnjë njoftim zyrtar nga RrGK në lidhje me keqmenaxhimin e projekteve të mëparshme të financuara nga FGK, gjë që nuk e lejon organizatën të aplikojë në këtë moment

Të gjitha aplikacionet përfundimtare duhet të plotësojnë këto kritere minimale gjatë kontrollit administrativ nga FGK, përpara se të kalojnë tek KVG. Aplikacionet që nuk plotësojnë këto kritere minimale do të diskualifikohen nga procesi.

Thirrje për Propozime si dhe KVG do t’i japë përparësi financimit të:

  • Iniciativave që angazhojnë persona me aftësi të ndryshme; grupet etnike të minoriteteve; dhe grupet e margjinalizuara;
  • Organizatave të cilat nuk kanë mundësi tjera të sigurimit të fondeve nga donatorë të ndryshëm.

PROCEDURAT E APLIKIMIT

RrGK do të pranojë aplikacione të shkruara në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze. Aplikacionet mund të dorëzohen në e-mail adresën: grants@womensnetwork.org.

Aplikuesit duhet të paraqesin dokumentet e mëposhtme:

  1. Aplikacionin, duke përdorur formën e aplikimit të RrGK-së (në formatin Word, të bashkangjitur dhe në dispozicion këtu; dhe
  2. Propozimin e buxhetit, duke përdorur formën e RrGK-së (në formatin Excel, të bashkangjitur dhe në dispozicion këtu.

Ju lutemi vini re: të gjitha buxhetet duhet të paraqesin ndarje të shpenzimeve (që do të thotë bashkë-financim nga një tjetër institucion) dhe/ose kontribut jo-financiar (që nënkupton punë vullnetare, kontribute të dhuruara nga bizneset, përfshirja e komunitetit) në vlerë prej 10% të buxhetit të përgjithshëm që është propozuar. Kjo duhet të ceket në buxhetin e propozuar. FGK mund të konsiderojë mbulimin e pagave dhe shpenzimet operative por vetëm në rastet kur aplikuesi të ketë bërë një shpjegim të qartë se si mbulimi i tillë do t’ju mundësojë atyre avancimin e të drejtave të grave dhe/ose barazinë gjinore.

Propozimet e paraqitura RrGK-së duhet të jenë punë origjinale që i përkasin vetëm organizatës aplikuese. Plagjiatura do të rezultojë në diskualifikimin nga procesi i vlerësimit të mëtutjeshëm.

RrGK do të mbajë të gjitha materialet dhe dokumentet e dorëzuara nga aplikantët. RrGK nuk do të përdorë informacionin e paraqitur nga aplikantët për qëllime të tjera, përveç shqyrtimit dhe nuk do të ofrojë këtë informacion për persona të tjerë apo institucione, përveç kur kërkohet nga ligjet e Kosovës ose nga donatorët.

Pas dorëzimit të aplikacioneve, organizatat aplikuese do të marrin një letër konfirmimi të pranimit me një numër të aplikimit, të nënshkruar nga stafi i RrGK-së.

AFATET KOHORE

KONTAKTET PËR INFORMATA

Kërkesa për sqarime / informata shtesë: Organizatat aplikuese duhet të dorëzojnë kërkesat e tyre për sqarim përmes e-mailit në grants@womensnetwork.org deri më 15 shtator 2023 në orën 17:00.

Thirrjen e plotë mund ta gjeni edhe këtu.