Tri organizata anëtare të RrGK-së me aktivitete parazgjedhore për fuqizimin e gruas në politikë

Organizatat anëtare të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), “In Time”, “Aureola”, dhe “Shqiponjat e Dardanës”,  përfituese nga rundi i 15 i Fondit të Grave të Kosovës (FGK), kanë mbajtur aktivitete të ndryshme, me qëllim të fuqizimit të grave në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.  

Organizata “In Time” ka mbajtur takime me asambliste të deritanishme, gra kandidate për asamble, dhe qytetare të Prizrenit, Vushtrrisë, e Mitrovicës. Në këto takime u diskutua për problemet që ato hasin në rrugëtimin e tyre politik. Gjithashtu, “In Time” prezantoi të dhënat e hulumtimit të tyre që tregon se 94% e grave janë përgjigjur se i kushtojnë rëndësi votimit të grave në zgjedhjet komunale. (Për artikullin e plotë, klikoni KËTU). 

Edhe organizata “Aureola” ka mbajtur takime me kandidate për asamble në Fushë Kosovë, Prishtinë, Kastriot, Lipjan, Drenas, dhe Podujevë. Drejtorja ekzekutive e organizatës “Aureola”, Sanije Grajçevci, tha se janë falënderuese që kanë përfituar nga ky rund, sepse nismat e tilla janë të nevojshme që të rritet pjesëmarrja e grave në vendimmarrje. (Artikulli i plotë KËTU). 

Ndërsa organizata “Shqiponjat e Dardanës” ka mbajtur takime me gra të komunës së Lipjanit e Graçanicës, me qëllim të avokimit për përkrahjen e kandidateve në zgjedhjet lokale, dhe të ngritjes së vetëdijes së grave dhe vajzave nga zonat rurale për rolin e votës së tyre. (Artikulli i plotë KËTU). 

Aktivitetet e këtyre organizatave janë mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë përmes nismës së RrGK-së “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”.