Trupi dhe jeta intime e grave nuk janë përmbajtje

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) shpreh shqetësimin e thellë lidhur me publikimin dhe qarkullimin e fundit të videove dhe fotografive në Shqipëri, me përmbajtje intime në rrjete sociale, si dhe raportimet se gratë mund të jenë incizuar pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre. Incizimi i fshehtë i marrëdhënieve intime dhe shpërndarja e materialeve intime pa pëlqim cenojnë privatësinë, dinjitetin dhe autonominë e grave, dhe janë forma të dhunës me bazë gjinore të lehtësuar nga teknologjia. Kur trupi dhe jeta intime e një gruaje bëhen objekt ekspozimi pa pëlqimin e saj, teknologjia përdoret për të ushtruar kontroll, poshtërim dhe dhunë.

RrGK u bën thirrje mediave dhe administratorëve të faqeve të mos publikojnë, ripublikojnë apo të drejtojnë audiencën drejt këtyre materialeve. Raportimi me interes publik duhet të fokusohet te dhuna, shkelja e të drejtave, përgjegjësia e autorëve dhe reagimi i institucioneve, dhe jo te ekspozimi i jetës intime të grave. Platformat digjitale gjithashtu kanë përgjegjësi. Ato duhet të reagojnë shpejt ndaj raportimeve për materiale intime të shpërndara pa pëlqim, t’i largojnë ato dhe të ndërmarrin masa për të parandaluar riqarkullimin e tyre.

U bëjmë thirrje institucioneve që këto raste t’i hetojnë seriozisht dhe pa fajësuar gratë e prekura, duke u garantuar atyre qasje në drejtësi dhe mbështetje psikologjike e juridike.

Ndërsa qytetarëve u bëjmë thirrje të mos i kërkojnë, hapin, ruajnë apo shpërndajnë këto materiale. Nëse i hasin, t’i raportojnë dhe të mos e zgjerojnë më tej dëmin.

Këto raste nuk janë çështje që i përkasin vetëm një vendi. Dhuna ndaj grave në hapësirën digjitale nuk njeh kufij dhe ajo që po shohim sot në Shqipëri na kujton se edhe në Kosovë gratë mund të përballen me forma të ngjashme të dhunës, shantazhit dhe cenimit të privatësisë.

Në Kosovë, Rrjeti i Grave të Kosovës, përmes shërbimit të ndihmës juridike, ofron mbështetje për gratë që përjetojnë dhunë. Nëse ju ose dikush që njihni në Kosovë po përjeton këtë apo forma të tjera të dhunës, mund të na kontaktoni në 048 105 800.