Ura Sociale mban aktivitet përmbyllës për metodat e mësimdhënies

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Ura Sociale në Vushtrri ka mbajtur aktivitetin e gjashtë me radhë, në kuadër të projektit “Promovimi i edukimit cilësor dhe transformimit të normave tradicionale gjinore”.

Në këtë aktivitet janë prezantuar të gjeturat nga observimi i disa orëve mësimore në dy shkollat e mesme “Lutfi Musiqi” dhe “Bahri Haxha”, të cilat janë ndarë me mësimdhënësit, drejtorët e shkollave si dhe me personat përgjegjës nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Vushtrrisë.

Qëllimi kryesor i këtij takimi është avokimi dhe diskutimi rreth metodave të mësimdhënies.

Jehona Jashari, trajnere, ka thënë janë shumë të nevojshme trajnimet në Vushtrri pikërisht për këtë temë, meqë kanë shumë pyetje si nga ana e mësimdhënësve po ashtu edhe nga drejtorët e shkollave, lidhur me hulumtimin që është bërë nga organizata Ura Sociale.

“Ne në hulumtim kemi vërejtur që ka pasur mangësi si në materialet mësimore, po ashtu edhe në aktivitetet që janë realizuar në klasë për informimin apo promovimin e barazisë gjinore, stereotipet e dhunës me bazë gjinore në shkolla etj. Andaj mendojmë që takimet për avokim, por edhe trajnimet do të ndihmonin që të adresohen problemet në institucionet relevante, në këtë rast Drejtorisë së Arsimit në komunën e Vushtrrisë”, tha ajo.

Zehra Kovaci mësimdhënëse e biologjisë në shkollën “Bahri Haxha” në Vushtrri, takimet e tilla me mësimdhënës e drejtorë shkollash i sheh si një mundësi të mirë për realizimin e aktiviteteve të ndryshme të cilat ndikojnë në dhënien e informatës për çështje të caktuara.

“Konsideroj që në gjitha situatat e mundshme edhe aty ku nuk ka material, trajnimet shtesë i ndihmojnë secilit në marrjen e informatave. Në shkolla profesionale në lëndën e biologjisë mungon edukimi seksual si dhe konceptet për barazinë gjinore por në anën tjetër në libra është e shpjeguar mirë gjithpërfshirja. Por ajo çka duhet ta cek është se meqë është lëndë bazike kanë njohuri mbi mesatare nxënësit ku unë ju jap mësim”, tha ajo.

Mergime Jashari drejtore e organizatës Ura Sociale, tha se ky aktivitet është i gjashti me radhë dhe njëherit edhe përmbyllës. Hulumtimi është bërë në klasa me nxënës “Promovimi i edukimit cilësor dhe transformimit të normave tradicionale gjinore.”

“Gjatë aktivitetit kemi takuar rreth 300 nxënës të dy shkollave të mesme profesionale në Vushtrri, në takim me ta në orët mësimore të cilët janë targetuar paraprakisht për realizimin e observimit. Aty është parë nëse ka gjithpërfshirje, nëse bëhet promovimi i barazisë gjinore, stereotipeve për dhunën me bazë gjinore në shkolla, planifikimi familjar dhe shëndeti riprodhues. Në shumicën e rasteve ka pasë gjithpërfshirje, por ka qenë një përqindje ku mësimdhënësit nuk kanë qenë shumë të informuar rreth këtyre temave, që t’i shpjegojnë tek nxënësit. Kjo besoj ka ndodhur si mungesë e trajnimeve të mjaftueshme.”

Organizata Ura Sociale e realizoi këtë aktivitet si përfituese e raundit ë 18-të të Fondit të Grave të Kosovës, përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i iniciativës për të drejtat e grave”, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).