Youth Association for Human Rights: Mbi dy dekada në mbrojtje të të drejtave të njeriut 

Përmes aktivizmit qytetar, punës me të rinjtë dhe barazisë gjinore, YAHR angazhohet që të drejtat e njeriut të respektohen edhe në praktikë. 

E themeluar në vitin 2002, Youth Association for Human Rights (YAHR) ka ndërtuar një përvojë më shumë se 20-vjeçare në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut. Me seli në Lipjan, puna e saj shtrihet edhe në komunën e Shtimes. 

Misioni i YAHR është krijimi i një shoqërie demokratike dhe tolerante, në të cilën respektohen të drejtat e njeriut. Për ta çuar përpara këtë mision, organizata punon me të rinjtë dhe qytetarët në përgjithësi, duke trajtuar çështje që lidhen me shëndetin, të drejtat e grave dhe fëmijëve, fuqizimin politik dhe pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje. 

Puna e YAHR-it është organizuar rreth tri programeve kryesore: demokratizimi dhe aktivizmi qytetar, rinia dhe barazia gjinore. Përmes këtyre programeve, organizata zhvillon punëtori dhe fushata ndërgjegjësuese, monitoron institucionet dhe krijon mundësi që qytetarët të përfshihen në çështjet që ndikojnë në komunitetet e tyre. 

Programi për demokratizim dhe aktivizëm qytetar përfshin monitorimin e institucioneve lokale dhe proceseve buxhetore. YAHR monitoron çdo vit Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, edhe në periudhat kur nuk ka financim të posaçëm për këtë punë. Përmes këtij angazhimi, organizata synon të kontribuojë në rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë së institucioneve ndaj qytetarëve. 

Ndër vite, YAHR ka monitoruar edhe mënyrën se si institucionet lokale përmbushin obligimet për përfshirjen e perspektivës gjinore në dokumentet dhe proceset buxhetore. Përmes monitorimit, rekomandimeve dhe avokimit, organizata ka kërkuar nga institucionet që t’i plotësojnë dokumentet përkatëse dhe të përmirësojnë zbatimin e obligimeve të tyre. 

YAHR vlerëson se monitorimi i vazhdueshëm dhe bashkëpunimi me institucionet kanë kontribuar në përmirësimin e transparencës në Komunën e Lipjanit. Gjatë tri viteve të fundit, organizata ka bashkëpunuar edhe me kryetarin e Komunës dhe institucionet lokale për adresimin e çështjeve me interes për qytetarët. 

Në kuadër të programit për rini, YAHR bashkëpunon me Komunën e Lipjanit për zbatimin e aktiviteteve të ndryshme. Si rezultat i avokimit të YAHR-it, programi për rini është përfshirë në Strategjinë e Komunës së Lipjanit 2025–2032. 

Në kuadër të programit për barazi gjinore, YAHR punon për fuqizimin e grave në politikë dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në proceset vendimmarrëse. Puna e YAHR-it në këtë fushë përfshin gjithashtu të drejtat e grave, parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Organizata ka bashkëpunuar edhe me Grupin Joformal të Grave në Kuvendin Komunal, duke mbështetur përfshirjen dhe përfaqësimin e grave në proceset lokale. 

Të premten e dytë të gushtit, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) u takua me Bekim Krasniqin, drejtor i YAHR-it, dhe Zoja Osmanin, koordinatore e projektit. Në qendër të bisedës ishin zhvillimi i organizatës, programet e saj, bashkëpunimi me institucionet dhe kontributi shumëvjeçar në avancimin e të drejtave të njeriut, aktivizmit qytetar, rinisë dhe barazisë gjinore. 

Anëtare e RrGK-së që nga viti 2021, YAHR ka shkëmbyer përvoja dhe njohuri me organizatat e tjera anëtare, ka krijuar lidhje të reja dhe ka kontribuar në nisma të përbashkëta për avancimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore. Bashkëpunimi me RrGK-në ka mbështetur veçanërisht zhvillimin e programit të YAHR-it për fuqizimin e grave në politikë. 

RrGK do të vazhdojë bashkëpunimin me YAHR-in dhe organizatat e tjera anëtare, duke mbështetur përpjekjet e tyre për fuqizimin e grave dhe të rinjve, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse. 

Më shumë rreth punës dhe aktiviteteve të YAHR-it mund të mësoni në faqen e saj zyrtare.