Në muajin maj është publikuar një profil gjithëpërfshirës për gjendjen e dallimeve gjinore në Kosovë në të gjitha nivelet. I porositur nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), raporti përmban hulumtime të reja dhe thelbësore, dhe do të shërbejë si udhërrëfyes për palët e interesuara, duke përfshirë BE-në, në kuadrin e programeve të ardhshme.
Hulumtimi përmban të dhëna nga 197 përfaqësues të ndryshëm të institucioneve qeveritare në nivelin komunal dhe kombëtar, organizatave të shoqërisë civile, akterëve ndërkombëtarë, anëtarëve të akademisë, sektorit privat dhe medies. Raporti hulumton gjendjen e gjinisë në marrëdhënie me kornizën kombëtare, akterët kyç, shtetin e së drejtës, drejtësinë, të drejtat e njeriut, politikën, gjendjen social-ekonomike, dhunën me bazë gjinore dhe sektorin privat. Ky raport vë në dispozicion statistikat më të përditësuara për secilën prej këtyre fushave, ndaj edhe shërben si burim i dobishëm.