Një në tetë gra preken nga kanceri i gjirit. Numri i grave të prekura nga kanceri i gjirit po rritet çdo ditë e më shumë në tërë botën, ndërsa në Kosovë, ende mbetet shumë i ulët numri i grave që zbulojnë kancerin në kohë për ta trajtuar.
Në kuadër të shënimit të muajit të zbulimit të kancerit të gjirit me 31 tetor, Ministrisë së Shëndetësisë i’u dorëzua Mamografi Mobil, gjë e cila u mundësua nga gratë deputete të legjislaturës së katërt në Kosovë.
Mamografi mobil, nga muaji dhjetor do të filloj të ofroj shërbime në të gjitha komunat e Kosovës, duke qenë kështu në shërbim të të gjitha grave kudo, në fshatra e qytete.
Ecja tradiconale me moton “Zbulimi i hershëm = Mbijetesë” që u organizua për herën e gjashtë nga Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit ‘Jeta-Vita’, nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, mblodhi me qindra qytetarë të cilët kishin ardhur të pajisur me shalle e fjongo ngjyrë rozë për të treguar solidaritetin e tyre.
“Të gjitha juve gra, motra, nëna dhe vajza të guximshme, që jeni prekur nga kjo sëmundje, por nuk jeni dorëzuar, ju lus që rrëfimet tuaja t’i ndani me gratë dhe vajzat e tjera, sepse kështu do të ndihmoni në zbulim të hershëm, dhe do të shpëtoni jetë,” tha Presidentja Jahjaga. “Nuk ka asgjë më të vlefshme se sa jeta e njeriut, prandaj duhet ta çmojmë atë!”
Këtë aktivitet Jeta-Vita e ka bazuar në suksese të mëhershme, duke kërkuar bashkëpunim më të mirë me institucionet e Kosovës në diagnostifikimin dhe trajtimin e kancerit të gjirit.
“Vetëm ato të cilat përballen me këtë sëmundje të rëndë e dinë se sa e vështirë, e mundimshme dhe e kushtueshme është rruga drejt shërimit. Prandaj, fati më i madh i çdo gruaje në këtë fatkeqësi, është zbulimi i hershëm i sëmundjes, kur trajtimi dhe mbijetesa janë më të suksesshme.” (Burimi: Jeta Vita)