RrGGK jep komente lidhur me zbatimin e RKSOKB 1325 në takimin e Task Forcës së BE

Me 29 janar, përfaqësuesja e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), Nicole Farnsworth, mori pjesë në takimin e Task Forcës së Bashkimit Evropian për Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (RKSOKB) 1325 mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që u mbajt në Bruksel.
      Konsultimi i BE-së u organizua në përputhje me vizitën e Radhika Coomaraswamy dhe të ekipit të saj, të cilët janë duke e udhëhequr Studimin Global të Kombeve të Bashkuara (KB) mbi zbatimin e RKSOKB 1325 mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Task Forca krijoi kushte për dhënie të komenteve nga ana e përfaqësuesve të shoqërisë civile pjesëmarrës në takim, përfshirë edhe RrGGK-në.  
     Konsultimet u fokusuan në nivelin kombëtar dhe regjional për 1) prioritetet dhe progresin që ndërlidhet me agjendën mbi gratë, paqen dhe sigurinë; 2) pengesat, boshllëqet dhe shqetësimet e shfaqura; dhe 3) mungesën e të dhënave dhe rekomandimet për Studimin Global. Çështjet e ngritura nga përfaqësuesja e RrGGK-së përfshijnë: 
  • Siguria e Grave: ka mungesë të vëmendjes ndaj mirëqenies së përgjithshme dhe sigurisë së grave në situata gjatë dhe pas konfliktit, gjë që mund të kontribuojë në ndjenjën e pasigurisë dhe në konflikt. Kjo duhet të adresohet në programimin rreth RKSOKB 1325 si një masë mbrojtëse, parandaluese dhe rimëkëmbje (p.sh., programim më i mirë për shëndetësinë dhe sigurinë ekonomike).
  • Koordinimi në mes të agjencioneve të Kombeve të Bashkuara, si dhe akterëve tjerë siç janë organizatat ndërkombëtare, ka qenë i pamjaftueshëm. Kjo ka përfshirë konkurrencë dhe “luftëra terenesh”, që kontribuojnë në mungesë të  efikasitetit dhe efektshmërisë së programimit. Me koordinim më të mirë, ne do të kishim qenë më efektiv dhe efikas.
  • Drejtësia dhe dëmshpërblimet për krimet e kryera ndaj grave, veçanërisht dhuna seksuale, vazhdojnë të mbesin në masë të madhe të paadresuara. Në Kosovë, kjo ndodh për arsye të dështimit të KB-së dhe humbjes së të dhënave të tyre, që e bën të vështirë vënien në vend të drejtësisë tash e 15 vite. Gratë ende vazhdojnë të kërkojnë drejtësi dhe dëmshpërblim.
  • Pjesëmarrja e grave në negociata të paqes (p.sh. në mes të Kosovës dhe Serbisë), nuk nënkupton patjetër përfaqësimin e çështjeve të rëndësishme për gratë. Përveç përfshirjes së grave diplomate në proceset e paqes, duhet të konsultohen edhe gratë tjera të vendit dhe çështjet që ato ngrisin duhet të adresohen më mirë në negociata (p.sh në Kosovë, çështjet e ngritura nga gratë siç janë çështja e përsonave të pagjetur dhe drejtësia për rastet e dhunës në baza gjinore të ushtruar gjatë luftës, nuk janë adresuar në mënyrën e duhur). 
  • Një buxhet i duhur duhet të alokohet për punën lidhur me zbatimin e RKSOKB 1325.
  • Treguesit e përdorur nga BE dhe OKB respektivisht, duhet të kenë objektiva më të qarta dhe afate kohore me qëllim të zbatimit të monitorimit. 
     Arritjet dhe përvojat më të mira që u përmendën nga 12 shtetet anëtare të BE-së, pjesëmarrëse në takim përfshinin: përparimet në përfshirjen më të barabartë të grave dhe burrave në operacionet civile dhe ushtarake; trajnimet gjinore për autoritetet e nivelit të lartë/qendror; Samitin Ndërkombëtar mbi Dhunën Seksuale dhe Protokolin Ndërkombëtar mbi Dokumentimin dhe Hetimin e Dhunës Seksuale; punën fillestare drejt Fuqizimit Ekonomik të Grave; dhe “storie nga terreni” nga paqeruajtësit lidhur me atë se si i ka ndihmuar ata trajnimi gjinor që të bashkëveprojnë më mirë dhe të mbrojnë gratë në situata të konflikteve.
     Sfidat që u përmendën gjatë takimit përfshinin sigurimin e fondeve të mjaftueshme për zbatimin e Planeve Kombëtare të Veprimit (PKV-ve); matjen e ndikimit afat-gjatë; mungesa e treguesve të qartë (që u mungojnë objektivat dhe afatet kohore); përfshirja e grave në proceset e paqes dhe negociatave; të mirret parasysh dhe të adresohet përmes programimit diversiteti në mes të grave (ndërsektorial); adresimi i mosndëshkimeve; sigurimi i lehtësimeve dhe dëmshpërblimeve për personat që kanë përjetuar dhunë seksuale; mbështetje të pamjaftueshme prej zyrtarëve të niveleve të larta, që është e nevojshme për zbatim; dokumentimi i ndikimit të përfshirjes së grave në proceset e paqes, pasi që egzistojnë pak shembuj (p.sh., vetëm Filipinet dhe Kolumbia ofrojnë shembuj të përfshirjes domethënëse të grave), dhe që anëtarët e BE-së nuk janë të vetmit përgjegjës për arritjen e rezultatave, pasi që kjo varet edhe nga të tjerët.
     Në mesin e rekomandimeve të drejtuara për OKB-në ishin: që zbatimi i RKSOKB 1325 duhet të ketë buxhet adekuat nga OKB-ja, dhe çështja gjinore duhet të integrohet në të gjithë buxhetimin; analiza e konfliktit dhe e fuqisë, duke përfshirë edhe paralajmërimin e hershëm, janë të rëndësishme për tu siguruar që gratë janë pjesë e proceseve të paqes dhe dizajnimit të tyre që nga fillimi.

 

     Disa nga rekomandimet drejtuar BE-së përfshinin:

  • BE-ja duhet të miratojë dhe Protokolin Ndërkombëtar mbi Dokumentimin dhe Hetimin e Dhunës Seksuale në konflikt.
  • Ndërmjetësuesit e gjinisë mashkullore duhet të marrin më shumë trajnime mbi gjininë dhe përfshirjen.
  • Trajnim dhe përfshirje më e mirë e mediave duke pasur parasyh rolin e tyre të rëndësishëm në raportimin mbi çështjet e paqes dhe sigurisë. Të përdoret teknologjia moderene për të ngritur vetëdijën për RKSOKB.
  • Kur krijojnë PKV-të e tyre, vendet duhet të konsultohen më shumë me gratë në rajonet e konflikteve.
  • Duhet t’i kushtohet vëmendje burrave dhe maskulinitetit. 

         Më tutje, disa nga pjesëmarrësit, vunë në dukje dobinë e lidhjes së RKSOKB 1325 me agjenda të tjera që kanë qëllime të ngjashme (p.sh., Pekin+20, agjendën e zhvillimit të pas 2015-ës, dhe Planin Gjinor të ardhshëm të Veprimit të BE-së). Përderisa ka interes në lidhjen e treguesve të ndryshëm që ndërlidhen me agjendat drejtë raportimit efikas, theksi u vu në mos-zbehjen e qëllimit kryesor të RKSOKB 1325. Edhe pse e rëndësishme, përfshirja gjinore e vetme u konsiderua e pamjaftueshme; veprime specifike për të çuar më tutje barazinë gjinore janë poashtu të nevojshme.   Rishikimi i Nivelit të Lartë të KB-së, që do të mbahet gjatë vitit 2015, do të “vlerësojë përparimin e bërë në zbatimin e RKSOKB 1325 në nivel global, regjional dhe vendor”. Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGGK është anëtare e Grupit Këshillues të Nivelit të Lartë për këtë studim.  Metodologjia do të përfshijë konsultime, përfshirë këtu me palë të ndryshme të interest në zonat e prekura nga konflikti; studimet e autorizuara në çështjet me interes; të dhënat nga shtetet e KB-së; dhe një anketim të shoqërisë civile nga Global Network of Women Peace-builders.   Raporti nuk do të përfshijë “emërtimet dhe turpërimet”, por më shumë do të përfshijë përvojat e mira. Përderisa autorët do të diskutojnë fushat që kanë nevojë për përmirësim, ata kanë për qëllim që raporti të jetë progresiv. Më shumë informata rreth Studimit mund të gjeni këtu.