Me 27 janar, mijëra qytetarë ishin mbledhur në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë, për të shprehur dy kërkesa për Qeverinë e Republikës së Kosovës: shkarkimin e z. Aleksander Jabllanoviq, i cili përmes një deklarate ka mohuar shtetësinë e Repulbikës së Kosovës dhe i ka quajtur ‘egërsira’ nënat e personave të pagjetur në Gjakovë, si dhe që qeveria ta sjellë në Kuvend ligjiin i cili shëndrron Trepçën në ndërmarrje të veçantë publike.
Edhe pse e drejta për protestë paqësore është e drejtë e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, shumë qytetar nga qytete të ndryshme ishin penguar nga policia që të vijnë në Prishtinë. Me qëllim që mos të jenë pjesë e protestës, policia kishte ndaluar autobusët e tyre, me ç’rast disa qytetarë edhe kishin vendosur të nisen në këmbë nga Peja për në Prishtinë.
Marshimi filloi nga sheshi ‘Zahir Pajaziti’ deri tek sheshi ‘Skënderbeu’, ku u mbajtën fjalime nga akterë të ndryshëm politik dhe jo-politik. Ndërkaq, shumë njerëz kishin dalë për të protestuar për këto dy kërkesa, pa qenë përkrahës të asnjë partie politike.
Bazuar në biseda me qytetarë që e ndoqën protestën vetëm përmes ekraneve televizive, tek protestuesit paqësor si duket u krijua bindja që mediat tona nuk shfaqën të dy anët e medaljes.
“Nuk e di se sa mund të themi që nëse ndjekim një ngjarje përmes mediumeve tona jemi plotësisht të informuar se çka ka ndodhur realisht. Ne, që ishim në shesh si protestues paqësorë, jemi ulur në gjunjë disa herë gjatë protestës për të treguar se qëllimi ynë ishte të protestojmë në mënyrë paqësore,” tha një nga protestuesit paqësor. “Gjatë bisedës me persona të tjerë që nuk kanë pasur mundësi të marrin pjesë në protestë dhe e kanë ndjekur protestën përmes televizonit, kuptova që pothuajse asnjë medium nuk ka shfaqur këto pamje ku ne ishim të ulur dhe ku disa nga organizatorët bënin thirrje që sulmuesit të ndaleshin.”
Pas pak kohe protestuesit filluan të iknin nga gazi lotësjellës që po hidhej drejt tyre nga ana e policisë. Për pesë orë rresht qytetarët i rezistuan përpjekjeve të policisë për të shpërndarë protestuesit. Situata eskaloi deri në atë masë saqë protestuesit merrnin çfarëdo që ju zinte dora për të shprehur revoltën e për tu mbrojur nga plumbat e gomës e uji i ftohët.
“U habita kur shkova në shtëpi dhe gjatë bisedës me anëtarët e familjes më tregonin çka kishin parë e dëgjuar në televizion, e kur unë tregoja se çfarë ne kishim përjetuar ata nuk besonin,” tha një protestuese. “Unë dhe shoqëria ime dolëm në protestë, pa qenë përkrahës të asnjë subjekti politik. Ne dolëm thjeshtë si qytetarë të shqetësuar të Kosovës, për të ushtruar të drejtën tonë qytetare në përkrahje të minatorëve të Trepçës, e nuk dolem për të shkaktuar dëme në prona publike.”
Edhe stafi i RrGGK morri pjesë në protestë, si organizatë joqeveriare dhe pa asnjë arsye politike, por si qytetarë të Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ndërrmori asnjë masë për ofendimet që Jabllanoviq ka bërë ndaj nënave të personave të humbur, të cilat me të drejtë vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen e fatit të të pagjeturve edhe 16 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë. Prandaj, stafi i RrGGK morri pjesë në protestë për të mbrojtur dinjitetin e nënave dhe qytetarëve të cilët Jabllanoviq i ka quajtur ‘egërsira’.