Ajshe Osmani Nuhiu: Jemi krenare që e patëm mes nesh

Ajshe Osmani Nuhiu ndërroi jetë në moshën 70 vjeçare, me 16 gusht 2015 pas një sëmundje të rëndë. Ajo lindi në vitin 1945 në një fshat të Vitisë. Pasi pasioni i saj ishte shëndetësia, ajo e kreu shkollën e mesme të mjekësisë në Prishtinë dhe pas një viti e regjistroi shkollën e lartë të shëndetësisë në Beograd. 
     Fillimisht u punësua në Sekretariatin e Shëndetësisë të Kosovës si Koordinatore e Shëndetësisë Preventive. Këtë profesion e ushtroi me vullnet dhe pasion të madh mbi 20 vjet, duke kontribuar në sigurimin e ujit të pijshëm në bashkëpunim me UNICEF-in. Ajo ka siguruar më shumë se 100 ujësjellës të jenë në dispozicion për banorët e fshatrave të ndryshëm. Pas një kohe të shkurtër është përzgjedhur deputete e Kuvendit të Kosovës të asaj kohe. Për punën e saj të palodhshme ajo është dekoruar nga UNICEF-i, Ministria Federative e Shëndetësisë dhe nga Kryesia e Kosovës. 
     Në vitin 1990 është përjashtuar nga puna sepse nuk ka pranuar të punojë në institucionet e Serbisë dhe prej atëherë kurrë më nuk është punësuar. Kjo e ka shtyrë Ajshen që të gjejë mënyra të tjera për t’ju ndihmuar njerëzve, sidomos grave dhe vajzave. Pas luftës në Kosovë ka qenë pjesë e sindikatave të Kosovës dhe më vonë e ka themeluar shoqatën e grave pensioniste “Vita Jeta”. Misioni i kësaj shoqate është fuqizimi dhe emancipimi i grave pensioniste, duke ju ofruar përkrahje psiko-sociale, rehabilitim dhe mbrojtje shëndetësore. 
     Ajshja arriti me punën e saj të palodhshme ta rrisë numrin e anëtareve të shoqatës me qindra, mandej të kalojë edhe mbi një mijë anëtare. E pasuroi jetën e tyre me aktivitete të ndryshme, ligjërata dhe tema të rëndësishme për gratë pensioniste, sidomos në fushën e drejtësisë dhe të drejtave të njeriut. Falë angazhimit dhe avokimit të Ajshes bashkë me stafin e organizatës më shumë se 600 gra fituan vizita mjekësore falas për sëmundjen e osteoporozës. 
     “Me qindra gra, me qindra herë e kanë uruar nënën tonë për kontributin socio-psiqik që e ka dhënë për ato,” tha Arbër Nuhiu, djali i Ajshes. 
     Rabije Slivova, koordinatore e shoqatës “Vita Jeta” e përkujtoi Ajshen si një grua shumë aktive që e donte jetën. “Edhe ditët e fundit të jetës së saj ajo na dha vullnet dhe na fliste për aktivitete e ardhshme që do ti organizojmë së bashku. Që nga viti 2000 kur edhe u themelua kjo shoqatë Ajshja ka bërë një punë të palodhshme me të gjitha anëtaret e shoqatës. Ajo padyshim do të mbetet përgjithmonë në mendjen dhe zemrat tona.“ 
     Ajshe Nuhiu ka qenë mbështetje dhe frymëzim për të gjitha gratë pensioniste të cilat kanë ushqyer shpresën për një jetë aktive pas kontributit të dhënë për shumë vite këtij vendi qoftë në arsim, shëndetësi apo dhe fusha të tjera. 
     Largimi i saj i përjetshëm nga veprimtaria për të drejtat e grave pensioniste paraqet një humbje të madhe për Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës por në veçanti për këto gra të cilat kanë gjetur mbështetje dhe hapësirë për të zhvilluar kreativitetin e tyre, për të përfaqësuar interesat dhe nevojat e tyre në vendin tonë ku statusi i pensionisteve është vërtetë i rëndë dhe për tu mëshiruar. 
     “Jam e bindur se puna dhe kontributi i saj do të mbeten udhërrëfyes për ne dhe shumë gra të tjera të cilat shpresojnë në një jetë aktive të moshës së tretë” tha Veprore Shehu, Drejtore e organizatës Medica Kosova.