RrGGK organizoi punëtori mbi Integrimin e Perspektivës Gjinore në Politika Publike.

Si të bëhet Integrimi i Perspektivës Gjinore në Politika Publike

Sot me 21 shtator RrGGK organizoi punëtori mbi Integrimin e Perspektivës Gjinore në Politika Publike. Punëtoria u mbajt në zyret e RrGGK-së ku morrën pjesë përfaqësuese të organizatave anëtare të RrGGK, anëtare të Lobit për Barazi Gjinore në Kosovë dhe pjesëtare të grupit FemACT.
   Në pjesën e parë të punëtorisë pjesëmarrëset patën mundësi të mësojnë më shumë rreth koncepteve bazike në Integrimin Gjinor me ligjërueset Nicole Farnsworth dhe Donjeta Morina nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK).
    Donjeta dhe Nicole u shpjeguan pjesëmarrëseve për politikat publike si ligjet, dokumentet e strategjitë, si dhe për integrimin e perspektivës gjinore, analizat gjinore, buxhetimin e përgjegjshëm gjinor dhe hapat konkret për integrimin praktik duke dhënë shembuj të integrimit gjinor.
   “Jam shumë e lumtur që morra pjesë në një punëtori të tillë, u shpreh një pjesëmarrëse. Unë sot arrita të marr informata fillestare për integrimin e perspektivës gjinore në politika publike.”
   Ndërsa në pjesën e dytë pjesëmarrëset u ndanë në disa grupe ku disktuan dhe dhanë sugjerime lidhur me këto dokumente dhe ligje: Kornizën Afatëmesme të Shpenzimeve (KASH) për Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik; Planin Strategjik të Arsimit në Kosovë – Analiza e Situates; Planin Strategjik të Arsimit në Kosovë – Korniza Logjike; Buxhetin e Fushë Kosovës; Projektligjin për Regjistrimin dhe Ofrimin e shërbimeve dhe masave për punësimin e të Papunëve, dhe Punëkërkuesve. 
    Ato punuan direkt në dokumentet dhe ligjet përkatëse, prej nga dolën me disa nga rekomandimet si në vijim: Të bëhet ndarja e të dhënave në bazë të gjinisë në të gjitha dokumentet, ligjet dhe politikat publike, përfshirë edhe në dokumentet buxhetore të mos thuhet për kokë të banorit po të specifikohet a janë gra, burra, vajza apo djem. Në prezantimet nga secili grup, ato poashtu sugjeruan që të bëhet një shtojcë për grupet buxhetore si dhe të ngritet vetëdija tek qytetarët që të marrin pjesë në dëgjime publike. Pjesëmarrëset ishin mjaft aktive dhe të interesuara që jo vetëm të mësojnë se si bëhet integrimi i perspektivës gjinore por edhe të marrin ide nga aktivitetet apo nismat avokuese që tanimë kanë filluar në komunat e tjera. Ato shkëmbyen ide konkrete gjatë punës në grupe dhe gjatë prezantimeve që do të ndihmojnë në zhvillimin e mëtutjeshëm të të gjitha iniciativave në të ardhmen. Disa nga pjesëmarrëset zgjedhën të punojnë në iniciativat e tyre personale avokuese, kështu duke u ndihmuar drejtpërdrejtë në punën e tyre të tanishme.   
Kjo punëtori u mbështet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.