Drita Vukshinaj u lind me 3 tetor 1954 në Prizren. Në moshën 13 vjeçare ajo vuajti nga një dëmtim serioz i këmbës, por as lëndimi e asgjë tjetër nuk e pengoi të jetë një grua e suksesshme, një nënë e mrekullueshme dhe një aktiviste. Ajo diplomoi në shkollën teknike në Prizren, ku fillimisht punoi si menaxhere në Progres, një fabrikë e fijeve sintetike, në Prizren.
Ajo gjithë jetën e saj, ka qenë aktiviste për të drejtat e grave dhe personave me aftësi të kufizuara, ku edhe ishte pjesë e ekipit për regjistrimin e personave me aftësi të kufizuara në 78 fshatra të Prizrenit, pasi që në periudhën e viteve të 1999-2000, personat me aftësi të kufizuara ishin të përjashtuar nga shoqëria. Ajo nuk u ndal kurrë duke organizuar një sërë aktivitetesh për ta, ndër vite, përfshirë: kurse kundër analfabetzimit, kurse për rrobaqepësi dhe shumë aktivitete të tjera duke i realizuar ato gjithmonë në mënyrë vullnetare. Drita me organizatën e saj i’u bashkangjit Rrjetit që nga fillimi, duke mos munguar në asnjë takim apo aktivitet, dhe duke dhënë kontributin e saj.
Drita vitet e fundit u diagnosifikua me kancer, mirëpo ajo nuk u ndal, ajo luftoi jashtëzakonisht shumë. Por, fatkeqësisht, sëmundja e mundi. Siç edhe e kujtojnë koleget e saj, ajo deri në ditët e fundit të jetës, shqetësimin më të madh i kishte aktivitetet e inicativat të cilat nuk i kishte përfunduar.
Dhembjen për humbjen e Dritës e ndajnë edhe anëtaret e tjera të RrGGK-së dhe ato gjithmonë do ta kujtojnë me shumë krenari.
“Dritën e kam takuar në Handikos, ku punuam së bashku dhe ku për herë të parë kam pasur kontakt me fëmijët me aftësi të kufizuara. Hapat e parë dhe këshillat e para i kam e marrë nga kjo aktiviste e cila përjetonte jetën e anëtarëve me të cilët ajo punonte.
Kontaktet e para, me prindërit të cilët i kam krijuar gjatë punës sime, janë mu ato kontakte të cilat i kishte teta Dritë, atëherë hyra në botën e personave me aftësi të kufizuara. Aty mësova që puna njëherë duhet dashur e pastaj të punohet.
Pastaj erdhi dita kur ne u bëmë kolege, edhe pse punuam në organizata të ndryshme kishim të njëjtin qëllim.
Atë që dua të theksoj është që ajo ishte grua e cila miqtë tanë i kyçi në botën e sportit, edhe pse shpesh gjykoheshin për shkak të gjendjes së tyre.
Ajo ka qenë gjithmonë shpresa e atyre që kurrë shpresë nuk patën, ajo iu zgjati dorën atyre që kishin nevojë për ndihmë, ajo ishte zëri i grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara, zë i cili u dëgjua.
Drita Vukshinaj ishte nënë, grua, kolege, mike, mësuese, bashkëpunëtore, mbështetëse, e zëshme, dhe luftëtare për të gjithë ata që ishin të pafuqishëm.
Ajo e dha vetën që ta krijoj rrugën e cila dërgon në shtigje pafund. Jam e lumtur që pata mundësinë ta njoh atë zë që do të dëgjohet dhe do të mbahet mend për një kohë të gjatë. – Antigona Shestan, Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK).”
“Ajo ka dhënë një kontribut të çmuar në ndryshimin e mendësisë sociale në Kosovë, lidhur me vlerën e pjesëmarrjes së gruas në një shoqëri ku kufizimet fizike përceptohen si pengesë e ofrimit të punës dhe vullnetit për të ndihmuar gratë në arritjen e të drejtave të tyre njerëzore.
Më kujtohet se si njëherë gjatë takimeve të rregullta të Rrjetit kishte deklaruar se lodhja fizike i ofronte kënaqesi kur arrinte të ndihmonte gratë përmes aktiviteteve të shoqatës, ndërsa ajo që e lodhte më shumë ishte mos-besimi i të tjerëve në forcën e saj për të punuar dhe ndihmuar të tjerët.
Gjithmonë do ta ndjejmë mungesën e kësaj force, por njëkohësisht do ta kujtojmë me shumë respekt dhe dashuri për punën e palodhshme për të arritur një shoqëri më të drejtë dhe më mundësi të barabarta për të gjithë.” – Veprore Shehu, Medica Kosova
Ndërsa, ne stafi i RrGGK kishim nderin dhe kënaqësinë që patëm një anëtare si Drita Vukshinaj.
Drita në vitin 2013 u intervistua edhe nga Iniciativa e Historisë Gojore në Kosovë, me ç’rast intervisten e plotë dhe transkripten mbi rrëfimin e saj mund t’i dëgjoni dhe lexoni në këtë
link.