Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), me 1 – 3 prill 2016, organizoi mbledhjen e Lobit për Barazi Gjinore në Durrës, Shqipëri. Tema e kësaj mbledhje ishte “Barazia gjinore, të drejtat e grave dhe procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian (BE)”. Në këtë takim morrën pjesë 115 pjesëmarrëse, përfshirë zyrtaret për barazi gjinore, asambleistet dhe përfaqësueset e organizatave anëtare të RrGGK-së nga 26 komuna të ndryshme të Kosovës, përfaqësuesen e organizatës donatore dhe pjesëtaret e stafit të RrGGK-së.
Gjatë këtij takimi tre ditor u diskutua se si aplikohet legjislacioni i BE-së në Kosovë dhe se çfarë synohet të arrihet nëpërmjet Planit të Veprimit Gjinor të BE-së 2016-2020. Gjithashtu, takimi kishte për synim të tregoj rëndësinë e anëtareve të Lobit për të kontribuar në këtë proces duke avokuar për të drejtat e grave dhe barazinë gjinore. Poashtu, grupet e Lobit patën mundësinë të ndajnë arritjet e iniciativave avokuese në komunat e tyre përkatëse për vitin 2015 lidhur me barazinë gjinore, si dhe iniciativat e sapo planifikuara për 2016.
Ndër të tjera, asambleistja nga Gjakova, Mimoza Shala u shpreh “këto që kemi bërë janë vetëm sipërfaqsore dhe situata ka nevojë të ndërroj rrënjësisht; këto që kemi bërë janë 10 % e punës sonë”.
Në mënyrë që gratë të kontribuojnë dhe përfshihen në procesin e anëtarsimit të Kosovës në BE, ato përgjatë këtij trajnimi punuan në dhjetë grupe me tema të ndryshme, përfshirë: pjesëmarrjen e grave në politikë, punësimin e grave, hendekun gjinor të pagës apo dallimi i pagave midis gjinive, arsimimi dhe trajnimi profesional, varfëria e grave, shëndetësia, kujdesi ndaj fëmijëve, migrimi dhe trafikimi me qenie njerëzore, pensionet dhe ekonomia joformale. Ato diskutuan dhe prezantuan rekomandimet e tyre të cilat do të draftohen në një dokument të politikave nga RrGGK. Nga këto rekomandime RrGGK do të ketë njohuri më të hollësishme se cilat janë nevojat dhe prioritetet e grave dhe vajzave, dhe si RrGGK dhe akterët e tjerë relevantë mund të punojnë dhe ndihmojnë në përmirësimin e jetës së grave dhe vajzave në Kosovë.
Kjo mbledhje u mbështetet nga Kvinna till Kvinna, me përkrahje financiare nga Ambasada Suedeze.