Me 4 maj, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) publikoi dokumentin e politikave “Arritja e Ekuilibrit – Opsionet e politikave që synojnë të informojnë amandamentimin e Ligjit të Punës”.
Fjalën hyrëse e kishte Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGGK-së; Basri Ibrahimi nga Inspektoriati i Punës; dhe Edi Gusia, Ud Kryeshefe Ekzekutive e ABGJ.
“Ministria duhet të bashkëpunojë me gratë dhe RrGGK, si një organizatë që i përfaqëson të drejtat e grave,” tha Z. Basri Ibrahimi, në emër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. “Ne jemi të vetëdijshëm që shoqëria nuk mund të funksionojë normalisht nëse nuk ka gra të emancipuara, me të drejtat e tyre të mbrojtura.”
Edi Gusia, Ud Kryeshefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrisë së Republikës së Kosovës tha se “Ndryshimet në Ligj të Punës duhet të fokusohen në Pushimin e Lehonisë dhe në nënën, babain dhe fëmijën, që të ri-edukojë një gjeneratë baballarësh dhe të mbrojë interesat e nënave dhe fëmijëve.”
RrGGK përgatiti këtë dokument të politikave me qëllimin e informimit të ndryshimeve të propozuara në Ligjin e Punës. Hulumtimi përmban rishikimin e kornizës ligjore, një rishikim të praktikave më të mira të vendeve të tjera, anketimin e 1,301 grave dhe 374 burrave në Kosovë, si dhe anketimin fytyrë-për-fytyrë të një mostre të thjeshtë rastësore të 400 punëdhënësve (privat, publik dhe shoqëri civile) nga 30 komuna.
Përgjigjet si nga punëdhënësit, ashtu dhe nga gratë e anketuara sugjerojnë se ka diskriminim gjinor gjatë punësimit në Kosovë. Dëshmitë po ashtu sugjerojnë që disa punëdhënës po i diskriminojnë gratë gjatë punësimit për shkak të dispozitave aktuale të pushimit të lehonisë. Disa nga të gjeturat e hulumtimit përfshijnë:
- Po t’iu jepet mundësia të zgjedhin në mes të një gruaje dhe një burri me të njëjtin nivel të shkollimit, kualifikimit, dhe të njëjten përvojë, 45% e punëdhënësve do të zgjidhnin burrin.
- 38.8% e punëdhënësve thonë se i marrin në konsideratë planet e aplikantit lidhur me krijimin e familjes, gjatë procesit të punësimit.
- Prej 4 grave, 3 prej tyre thanë që punëdhënësit i kanë pyetur ato për statusin e tyre martesor dhe planet rreth lindjes së fëmijëve gjatë intervistave për punë.
- 40 gra të anketuara raportuan që iu është kërkuar të bëjnë test të shtatëzanisë për të dëshmuar se nuk janë shtatzënë për t’u punësuar.
- 12% e punëdhënësve thanë se nuk kanë punësuar një grua për shkak se nuk mund ta përballonin pushimin e lehonisë