#EcShlirë, ecni shlirë me ne!

Përmes bashkëpunimit të Open Data Kosovo, Girls Coding Kosova dhe Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës, me 25 shkurt 2016, është lansuar aplikacioni raportues për ngacmim seksual #EcShlirë (#WalkFreely) me qëllim të raportimit të ngacmimeve seksuale edhe nga telefoni.     
     Që nga atëherë, aplikacioni është shkarkuar më shumë se 800 herë dhe numri i ngacmimeve seksuale që janë raportuar është rreth 300. Sipas raporteve 67.5% janë bërë nga femrat, 21.7% nga meshkuj ndërsa 10.8% të tjera (përfshirë edhe komunitetin LGBT).
     Pjesa sfiduese ishte përhapja e informatës në lidhje me ekzistencën dhe qëllimin e aplikacionit. Me qëllim të promovimit të mëtejshëm të aplikacionit #EcShlirë, u bë e qartë se bashkëpunimi me autoritetet publike dhe në të njëjtën kohë ngritja e  vetëdijes tek qytetarët për çështjen e ngacmimit seksual, është një fazë e dytë e rëndësishme e projektit, i cili është mbështetur nga Fondacioni “Unë e du Kosovën”. Plani i promovimit përfshinë veprimtari të tilla si shfrytëzimi i kanaleve mediatike (TV, Radio, rrjetet sociale) për të shpërndarë informatën si dhe përdorimi i diskutimeve të hapura publike për të rritur ndërgjegjësimin për ngacmimin seksual.
     Meqë rëndësia e bashkëpunimit me autoritetet publike është e padiskutueshme, gjatë kësaj faze të projektit ekipi do të zhvillojë takime të rregullta me Policinë e Kosovës për të parë mundësitë dhe për të vendosur një teren bashkëpunimi me #EcShlirë që të krijohen masa parandaluese me të dhënat e mbledhura nga përdorimi i aplikacionit.
    Gjithashtu, përmes këtij bashkëpunimi planifikohet që të punohet ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe institucione të ndryshme relevante. Ideja është që të organizohen takime “shtëpi të hapura” që mbulojnë komunat e ndryshme në Kosovë për të promovuar raportimin e ngacmimit seksual, duke përdorur klasat si pikë takimi me nxënës të rinjë të shkollave të mesme. Kjo do të shërbejë jo vetëm si formë promovimi i platformës, por do të ndihmojë rreth qasjes ndaj mendimeve të studentëve të rinj për ngacmimet seksuale, që të mos e pranojnë këtë si një femomen të përditshëm por t’ju spjegohet atyre se si duhet luftuar kundër ngacmimit seksual për një shoqëri më të mirë.
     Ju ftojmë të shkarkoni aplikacionin në linkun në vazhdim dhe të ndihmoni duke e shpërndarë atë: https://goo.gl/zkuTze~~HEAD=dobj
     Ejani ecni shlirë me ne, së bashku!