Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor (BPGJ) paraqet përfshirjen e perspektivës gjinore në planifikimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e buxhetit. BPGj-ja ndihmon që buxhetet qeveritare dhe ekzekutimi i tyre, të jenë më të barabarta, efektive dhe transparente. Ligji i ri për Barazi Gjinore (2015) e ka bërë BPGJ-në detyrim ligjor për të gjitha organizatat buxhetore të nivelit qendror dhe lokal në Kosovë. Më tej, Qarkorja Buxhetore Nr. 2017/01, e shpërndarë nga Ministria e Financave në qershor të vitit 2017, specifikisht ka inkurajuar të gjitha komunat që të integrojnë BPGJ-në në dokumentet e tyre buxhetore.
Megjithatë, BPGJ-ja është një koncept mjaft i ri, si në Kosovë ashtu edhe në vende tjera. Në fillim të vitit 2016, të pakta ishin organizatat buxhetore në Kosovë që kishin filluar të zbatonin këtë detyrim ligjor, duke përfshirë këtu edhe komunat e Vitisë dhe Gjilanit. Për këtë arsye, organizatat anëtare të RrGGK-së, Qendra për Mbrojtjen dhe Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve “Liria” në Gjilan dhe Legjenda në Viti, vendosën të krijonin një ekip të përbashkët me qëllim të avancimit të procesit të institucionalizimit të BPGJ-së në komunat e tyre.
Të përkrahura nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK), Liria dhe Legjenda organizuan takime informuese me Grupin Formal të Grave Asambleiste të Komunës së Ferizajit dhe Komunës së Kllokotit, Lobin për Barazi Gjinore në Kosovë si dhe Drejtorët e Drejtoratëve në nivel lokal të të dy Komunave. Nga të dy komunat përfitues gjatë këtyre takimeve informuese ishin mbi 75 gra dhe burra.
Temat në këto takime informuese ishin kryesisht lidhur me hapat integrues si vendim-marrja, agjenda gjinore dhe raportet, hulumtimet dhe analizat të cilat duhet të ndërmerren në nivel komunal, si dhe ekspertiza gjinore.
Trajnerja dhe aktivistja për të drejtat e grave, Nazlie Bala, ka theksuar për të pranishmit se “barazia gjinore nënkupton që burrat dhe gratë të kenë qasje të barabartë në politikat që ofron shteti, të kenë qasje të barabartë në mirëqenien dhe zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë dhe qasje të barabartë në të mirat materiale që ofron shteti”.
Rezultat i këtij bashkëpunimi ishte ngritja e vetëdijes së zyrtarëve dhe aktivistëve në këto dy komuna lidhur me BPGJ-në, atë se çfarë nënkupton ky koncept dhe mënyrën se si ta zbatojnë atë në komunat e tyre. Gjithashtu gratë në vendim-marrje u vetëdijesuan për buxhetim gjinor, si dhe u inkurajuan të jenë pjesë e hartimit të politikave buxhetore.
Kjo paraqet një hap tjetër të rëndësishëm drejt avancimit të barazisë gjinore. Këto veprime parashikohen në Ligjin për Barazi Gjinore edhe pse deri më sot pak institucione i kanë përdorur ato. Bashkëpunimi i këtyre dy organizatave dhe avokimi i tyre drejt institucionalizimit të qëndrueshëm të BPGJ-së në komunën e Ferizajit dhe Kllokotit paraqet shembull shumë pozitiv nga i cili mund të mësojnë komunat e tjera dhe institucionet e nivelit qendror.
Ky projekt në partneritet është mbështetur nga FGK i RrGGK, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.