Me 14 qershor, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) mbajti Sesionin Orientues, për të shpallur zyrtarisht katër organizatat përfituese të granteve me shumën totale prej 166,887.46 €, në kuadër të projektit “Përkrahja e grave të mbijetuara të dhunës seksuale”, i cili është pjesë e Projektit Global të UN Women “Ndjeshmëria gjinore në drejtësinë në tranzicion”. Ky projekt i UN Women është i financuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe segmenti për fuqizimin ekonomik të grave përmes mikro-granteve në Kosovë, po zbatohet nga RrGGK.
Katër organizatat anëtare të RrGGK-së të specializuara në punën me gratë e mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës, njëherit edhe përfitueset e këtyre granteve, janë: 1. Medica Gjakova; 2. Medica Kosova; 3. Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT); dhe 4. Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG).
Katër iniciativat e planifikuara nga organizatat përfituese të këtyre granteve do të kontribuojnë në realizimin e vetë misionit të RrGGK-së që të përkrahë, të mbrojë dhe të promovojë të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në të gjithë Kosovën, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, fetare, etnike, mosha, niveli i arsimit, orientimi seksual dhe aftësia.
“Përmes zbatimit të kësaj iniciative ne synojmë të kontribuojmë në fuqizimin ekonomik dhe integrimin e grave të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, u shpreh përfaqësuesja e njërës prej organizatave përfituese.
Përveç në realizimin e misionit të RrGGK-së, këto iniciativa do të kontribuojnë edhe në realizimin e objektivave të RrGGK-së në Strategjjinë e saj për 2015-2018.
Më tutje, projekti i RrGGK “Përkrahja e grave të mbijetuara të dhunës seksuale” dhe katër iniciativat e organizatave të përkrahura në kuadër të tij, do të kontribuojnë në zbatimin e projektit të UN Women mbi Drejtësinë Tranzicionale, i cili ka për qëllim të përgjithshëm që “Qeveria dhe Akterët e Sigurisë në Kosovë përkrahin zbatimin e planeve të aprovuara të veprimit 1325 dhe çasjes specifike për të mbijetuarat e dhunës seksuale.”
Për të arritur këtë qëllim, RrGGK po bashkëpunon ngushtë edhe me UN Women, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.