Grupi punues për hartimin e PKBGJ-së takohen për punëtorinë e dytë

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) mori pjesë në punëtorinë e dytë të Hartimit të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore, organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore. Raundi i dytë i punëtorisë diskuton të drejtat e grave, qasja në drejtësi dhe siguria. Përderisa procesi i hartimit ka filluar në tetor të vitit 2017, punëtoria e tretë pritet të mbahet në mars të këtij viti.
      Agjencia për Barazi Gjinore (ABGj) bazuar në nenin 11 të Ligjit për Barazi Gjinore ka qenë e obliguar të inicioj hartimin e Programit të Kosovës për Barazi Gjinore (PKBGj) si dokument strategjik i Qeverisë së Kosovës, i cili përcakton synimet, masat dhe akterët kryesor që janë përgjegjës për arritjen e barazisë gjinore në të gjitha fushat e jetës sociale, ekonomike, politike, arsimore, shëndetësore dhe kulturore për gratë dhe burrat në Kosovë në vitet 2017-2021.
      Grupi punues për hartimin e këtij dokumenti, pjesë e të cilit është edhe RrGK, në punëtorinë e parë për gjashtë ditë radhazi kanë diskutuar lidhur me mbledhjen, analizimin dhe ofrimin e informatave të nevojshme gjatë dhe deri në përfundim të procesit të finalizimit të Programit të Kosovës për Barazi Gjinore dhe Planit të Veprimit. Dokumenti është i ndarë në tri shtylla: Fuqizimi ekonomik dhe mirëqenia sociale; Zhvillimi njerëzor; Vendimmarrja dhe përfaqësimi, Gratë, Paqja dhe Siguria. Punëtoritë janë mbështetur nga Qeveria Suedeze – Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar – SIDA.