U mbajt takimi i dytë rajonal i feministeve kundër femicidit

 Më 4 dhe 5 prill, në Beograd, u mbajt takimi i dytë rajonal i feministeve kundër femicidit. Femicidi nënkupton vrasjen e grave vetëm pse ato janë gra. Në këtë takim, feministet aktiviste nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia dhe Mali i Zi paraqitën të dhëna nga vendet e tyre përkatëse mbi dhunën ndaj grave në përgjithësi dhe vrasjen e grave apo femicidin, më specifikisht. Nga Kosova në këtë takim mori pjesë Adelina Berisha, koordiantore për avokim dhe hulumtuese mbi dhunën me bazë gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK).
      Qëllimi i këtij takimi ishte organizimi i aktiviteteve dhe nismave të njejta apo të ngjashme në të gjitha vendet e lartëpërmendura, në mënyrë që si rajon të krijohet një metodologji e njejtë e parandalimit dhe luftimit të vrasjes së grave.
       Disa prej çështjeve kryesore që u miratuan në këtë takim ishin: rritja e rrjetit të feministeve të rajonit me përfaqësuese edhe nga Hungaria, Sllovenia dhe vende të tjera të rajonit si dhe të shikohen mundësitë për gjetje të burimeve financiare të cilat do të mundësonin bashkëpunimin në luftim të femicidit në rajon.