QKRMT dhe Medica Gjakova lansojnë fushatën “Bëhu Zëri im”

 Me 19 qershor, në Ditën Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikte, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) dhe Medica Gjakova lansuan në Prishtinë fushatën “Bëhu Zëri im”, e cila adreson stigmën për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Duke marrë parasysh që të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ende ballafaqohen me paragjykime dhe shumë sfida tjera brenda shoqërisë, kjo fushatë ka për qëllim të ngris vetëdijen mbi dhunën seksuale, të luftojë stigmën dhe paragjykimet, si dhe të informojë për procedurat e aplikimit për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Në kuadër të fushatës janë publikuar edhe video-mesazhe mbështetëse nga Ambasador dhe Ambasadore të zyrave ndërkombëtare në Kosovë si dhe aktiviste e përkrahëse të të drejtave të grave në Kosovë.
Feride Rushiti, drejtore e QKRMT, në mesazhin mbështetës të fushatës u është drejtuar qytetarëve që “Është koha dhe momenti që ti themi heshtjes ‘Jo’”.
Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, në mesazhin e saj mbështetës për këtë fushatë tha “Mos hesht, mos ngurro. Ngrite zërin dhe të drejtën tënde kërko”.
Edhe këngëtarja kosovare me famë botërore, Rita Ora, përmes mesazheve në rrjetet sociale ka përkrahur këtë fushatë duke bërë thirrje që të përkrahet kjo iniciativë dhe të ndalohet diskriminimi ndaj të mbijetuarve.
“Bëhu zëri im” është një thirrje e fuqishme që i drejtohet tërë shoqërisë për përfshirje dhe mbështetje për të mbijetuarit e dhunës seksuale.