Më 8 Prill, 40 subjekte nënshkruan “Platformën Kombëtare të Grave Ndërmarrëse në Repubilkën e Kosovës”. Nënshkruesit përfshinin OJQ, shoqata të grave, shoqata të biznesit, rrjete, institucione të edukimit dhe trajnimit dhe media.
Nënshkrimi pasoi një punëtori paraprake në të cilën ata zhvilluan platformën, të mbajtur më 22 Mars. Strategjitë kryesore për rritje ekonomike të identifikuara në Platformë përfshijnë partneritetet publiko-private, barazinë gjinore dhe krijimin e rrjeteve të ndërmarrësve dhe shoqatave të biznesit.
Një grup vullnetarë, jo formal që punon për zhvillimin dhe promovimin e grave ndërmarrëse në Kosovë, si dhe eleminimin e çdo lloj diskriminimi gjinorë udhëheq implementimin e Platformës.
“Kjo është hera e parë që një Platformë e tillë është krijuar në Kosovë,” tha një përfaqësuese nga Shoqata Afariste e Gruas SHE-ERA. “E tëra është e bazuar direkt në nevojat e grave ndërmarrëse dhe konform ligjeve dhe rregullave të BE-së.”
Platforma është krijuar në bazë të Aktit të Biznesit të Vogël për Evropë (i nxjerrë nga Treguesit e Grave Ndërmarrëse të Stambollit), Parimeve të Prishtinës (sektori i Fuqizimit Ekonomik të Grave, nga Samiti Presidencial i Republikës së Kosovës), Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (2012-2020), Ligjit për Barazi Gjinore, Programit të Kosovës për Barazi Gjinore, Planit të Veprimit të Kosovës për Fuqizimin Ekonomik të Grave 2011-2013, si dhe Konventës Ndërkombëtare mbi Eleminimin e të Gjitha Llojeve të Diskriminimit ndaj Grave (KEDNG).
Platforma synon të promovojë gratë ndërmarrëse në Republikën e Kosovës përmes partneriteteve publike dhe private. Ajo kërkon që të ndihmojë gratë të kapërcejnë pengesat për ndërmarrësi dhe të eleminojë të gjitha format e diskriminimit gjinorë.
Kjo iniciativë po ndërmirret nga nëntë vende të BE-së para-pranimit në Evropën Juglindore. Ajo është mbështetur nga Mbretëria e Suedisë dhe e implementuar nga Qendra Juglindore Evropiane për Mësime Ndërmarrësie (QJLEMN), Këshilli Rajonal për Bashkëpunim (KRB) dhe Task Forca Gjinore (TFGj) për Evropen Juglindore.
Partnerët që po implementojnë projektin në Kosovë janë Shoqata Afariste e Gruas SHE-ERA dhe Rrjeti “Qeliza”.