Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), më 24 shtator 2019 ka mbajtur takim koordinues me organizatat anëtare dhe vullnetarët që janë pjesë e fushatës “Voto për më shumë gra në parlament”.
Rreth 200 vullnetarë për pesë ditë (25-29 shtator) kanë biseduar me qytetarë duke shkuar derë më derë në mbi 15 komuna të Kosovës, përfshirë komunat serbe, për të diskutuar me gratë dhe burrat votues mbi rëndësinë e votimit të më shumë grave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen me 6 tetor 2019. Gjithashtu, me datë 1 tetor RrGK ka shpërndarë broshura dhe ka takuar qytetarë të Prishtinës së bashku me organizatat anëtare: Art Without Limit, Dera e Hapur, Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptase të Kosovës (RROGRAEK), Qendra Kosovare për Studime Gjinore, dhe United Women’s Association.
Këto aktivitete janë vazhdimësi e vizitave që RrGK tashmë ka bërë në disa qytete. Përmes këtyre vizitave, përfaqësuese të organizatave anëtare të RrGK-së u kanë shpërndarë qytetarëve broshura, dhe kanë bashkëbiseduar me ta për rëndësinë e zgjedhjes së më shumë grave në parlament.
Në fillim të takimit koordinues me organizatat anëtare dhe vullnetarët, Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGK-së ka njoftuar të pranishmit se përmes kësaj fushate po kërkohet barazi për përfaqësim në parlament.
“Meqenëse partitë politike nuk po e zbatojnë Ligjin për Barazi Gjinore ku kërkohet 50% përfaqësim i barabartë, atëherë falë kësaj fushate qytetarët kanë mundësi që të votojnë për më shumë gra në parlament dhe në këtë mënyrë të zbatojnë këtë ligj”, tha Rogova.
Ligji për Barazi Gjinore (LBGj) garanton përfaqësim të barabartë gjinor në të gjitha fushat, përfshirë atë politike. Mirëpo, në kundërshtim me këtë ligj, as kuvendi e as qeveria nuk kanë siguruar pjesëmarrje të barabartë të grave dhe burrave në sferën publike. Prandaj, na mbetet neve si qytetarë ta arrijmë barazinë! RrGK inkurajon të gjithë qytetarët që të votojnë për gratë të cilat do të përfaqësojnë më së miri interesat e qytetarëve në kuvend, si dhe do të luftojnë për arritjen e barazisë gjinore.
Përkrahja e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje është pjesë e Strategjisë së RrGK-së 2019-2022. Po ashtu, kujtojmë se RrGK ka bërë fushatë për këtë çështje edhe në zgjedhjet e vitit 2017, si dhe do të vazhdojë të përkrahë, mbrojë dhe promovojë të drejtat dhe interesat e grave dhe vajzave në të gjithë Kosovën, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, fetare, etnike apo orientimi seksual.
RrGK vlerëson zgjedhjet si element qenësor të një shteti demokratik, kurse barazinë gjinore si të drejtë elementare të njeriut, andaj bëjmë thirrje që të votohen më shumë gra në paralament, si kusht i domosdoshëm drejt luftimit të traditës institucionale që padrejtësisht ka privuar gratë nga pjesëmarrja në politikë dhe procese vendimmarrëse. Cilëndo listë që zgjedhni, votoni për më shumë gra në parlament!
Kjo fushatë realizohet si pjesë e nismës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, si dhe mbështetet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.
Organizatat që mbështesin RrGK-në në realizimin e kësaj fushate janë:
ATO- Vushtrri
Aureola- Obiliq
Alma- Pejë
Bliri- Drenas
Qendra e Grave për Zhvillim Rural- Novobërdë
Qendra për Edukim dhe Zhvillim- Elita – Lipjan
Femrat Aktive të Gjakovës- Gjakovë
Handikos Mitrovica- Mitrovicë
OJQ Drugëza- Skenderaj
Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK) – Prizren
Organizata për Reforma Lokale (Euloc)- Viti
Psikoterapeutët në Veprim- Gjilan
Ruka Ruci- Uglarë
Shoqata e Pavarur e Gruas-Hareja- Rahovec
Shoqata Iniciativa e Grave- Dragash
Shoqata për Edukim dhe Përkujdesjen e Familjes (ShEPF)- Gjakovë.